E Shtunë, 31 Tetor 2026

M'gladbach përcjell Rustemajn

Ende pa debutuar në elitën e futbollit suedez, futbollisti i ri i Kalmarit, Besnik Rustemaj ka nisur ta tërheqë vëmendjen e klubeve të njohura evropiane. Skuadra e njohur e Bundesligës gjermane, Borussia Monchengladbach ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit 18-vjeçar me prejardhje nga Kosova.

“Ata janë të interesuar që fillimisht të më provojnë për një javë, e më pas për të vendosur. Ata më kishin parë gjatë dimrit të kaluar, kur isha i angazhuar me ekipin kombëtar. Unë nuk kisha njohuri për këtë klub, por u befasova kur e pashë në internet se pozicionohet në vendin e katërt të Bundesligës”, ka deklaruar për mediat suedeze, Rustemaj, i cili luan për ekipin U-19 të Suedisë.

Andaj, ai nuk e ka fshehur dëshirën e tij që në të ardhmen ta veshë fanellën e këtij klubi të njohur gjerman. “Borussia Monchengladbach fillimisht duhet ta kontaktojë Kalmarin. Unë nuk besoj se Kalmari më pengon për të shkuar në Gjermani, nëse Borussia Monchengladbach seriozisht është e interesuar”, ka pohuar ai.

Në anën tjetër, zyrtari i Kalmarit, Svante Samuelsson ka treguar se ende nuk janë kontaktuar nga gjermanët, derisa nuk ka dashur të spekulojë nëse klubi i tij do ta lironte apo jo Rustemajn, nëse atë e fton klubi gjerman.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›