E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të ndahet shapi nga sheqeri?

Sa herë që ndjejmë dhe shohim, se mjaft gjëra janë pleksur deri sa na pengojnë të arrijmë objekti-vat, zakonisht shpëtimin e gjejmë të përmbledhur te shprehja “Ta ndajmë shapin nga sheqeri”. Këto fjalë, që po dëgjohen të shqiptuara edhe këto ditë, kur kriza politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri në vend që të niste lehtësimin po thellohet edhe më tepër, përveçse kanë vlerë aq sa çdo retorikë e rëndomtë, të lënë të nënkuptosh ndërmarrjen e një veprimi të gënjeshtërt, të hapin perspektivën e barabartë me një të ardhme të pakryer, të shpien atje nga ku të duhet të kthehesh përsëri. Pra, ky lloj ‘shpëtimi’ virtual të bën të provosh në mënyrën më konkrete zhgënjimin e pashmangshëm, po aq sa mund të nxjerrë në krye një rrugë qorre. Këto konstatime të nxjerra në mënyrë kategorike jam i bindur se do t’i mbështetnin të gjithë ata, sidomos gjeologët dhe berberët, që e dinë edhe më mirë se unë çfarë është shapi. Të tjerëve, që nuk e kanë këtë mundësi, mund t’u ofrohet që në fillim të këtyre radhëve një shpjegim i shkurtër konkret.
Nga shtypja e një lloj minerali kristalor, që njihet përgjithësisht me emërtimin ‘nishadër’ formohen thërrmija të vogla, të holla dhe të bardha, që quhen me një emër të vetëm- shap – dhe të cilat po u përzjenë me grimcat e kallamit tropikal apo edhe të panxharit të kultivuar në vende të ftohta mund të krijojnë një masë, që ia humbet këtyre të fundit ëmbëlsinë dhe përshtatshmërinë për t’u ushqyer. Ndërkaq, një amalgamë e tillë nuk mund të shërbente për të pushuar rrjedhjen e gjakut që vjen nga brisku i rojes, përkundër efektit që jep në kësi rastesh përdorimi i nishadrit, apo i shapit si grumbull i veçuar. Madje është provuar jo vetëm dëmi që do të shkaktonte një amalgamë nëse do të futej në menynë e përditshme kulinare, por edhe mundimi i padobishëm i njeriut që do të tentonte t’i ndante veçanërisht pjesët përbërëse të këtij hibriditeti. Kështu, nëse sheqeri si prodhim me bazë biologjike gjen përdorim të gjerë për shëndetin e njeriut nga njëjta anë dhe shapi nga ana tjetër si kripë minerare mund të përdoret, për shembull, për të salduar copëra metalike ose mbetje konstruksionesh, kur i trazon këto të dyja bashkë, në mos e pamundur është mjaft e vështirë dhe joproduktive për t’i ndarë më pas; sa më shumë të përpiqesh t’ia dalësh mbanë, aq më së tepërmi kokolepsen e kërleshen ato, duke zhvleftësuar edhe përdorimin e pincetave të holla nën këqyrjen e lenteve të trasha. Prandaj, ia vlen më mirë ta flakësh tutje këtë masë dhe të kujdesesh që elementet e saj të mos i mpleksësh. Sigurisht, po qe se ende s’të kanë mbaruar forcat, fryma dhe gjërat me çfarë të merresh.
Shpjegimi i mësipërm ndoshta nuk është humbje kohe për lexuesin. Nuk është, sepse vërtet që vetëm ndonjë i marrë do të dëshironte t’i futej asaj pune dhe do të kishte durimin të vazhdonte pafundësisht të merrej me të, ama realiteti që po përpjesëtohet i detyron qytetarët në vendin tonë që instiktivisht, por edhe figurativisht, nga halli, por jo nga malli, të zënë masivisht në gojë së bashku termat e dy produkteve me burime, shije dhe përdorime krejtësisht të ndryshme ose të kundërta. Gjithsesi, ky realitet, pra, ky realitet që po përjetohet nuk mund të ndryshojë dhe as të parandalohet më tej me shprehjen: “Ta ndajmë shapin nga sheqeri”. Kjo, ndoshta edhe më shumë se figuracionet e tjera, të mbush mendjen për vërtetësinë e asaj maksimës së njohur “Çdo krahasim çalon”. Sidoqoftë, për alegorira gjithmonë vendi është i bollshëm, ç’ka u ka lejuar organeve të shtypit që të demaskojnë e sarkastojnë ngjarje dhe dukuri të ndryshme shpeshherë nën okielon “Kripë dhe sheqer”.
Këtu mjafton të sjellësh ndërmend pa e shtrydhur shumë kujtesën atë çka ndodhi javët e fundit me procesin e numërimit të votave për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në përfundim të këtij procesi, qeveria që duhej të mbante përgjegjësi edhe për mangësitë e vërejtura në organizimin dhe zhvillimin e votimeve, me konvulsione për humbjen e kandidatit të saj zuri “t’u qajë hallin” atyre qytetarëve të një përqindjeje të lartë, që nuk shihnin mirë dhe prandaj nuk kishin dalluar ngjyrat e fletëve që duheshin hedhur në kutitë përkatëse. Dhe kështu, rregullat e lojës që nga ai çast ndryshuan, duke e lënë tek qytetarët edhe përgjegjësinë në formën e ‘gabimeve njerëzore’ për çarjen e kutive, për ndërrimin e kodeve, për firasjen e fletëve të votimit, për shumëfishimin e tyre në kuti të tjera, për hedhjen e procesverbaleve të ndonjë qendre në kutinë e ndonjë tjetre etj, etj. Dhe, kështu, na paska qenë vullneti i qytetarëve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bënte si t’i tekej, vetëm e vetëm që rezultati përfundimtar të ndryshonte në tryezën e tij, pak më shumë se gjysma e së cilës madje mjaftonte për të plotësuar urdhrin e kryeministrit dhe për t’ia transmetuar atë Kolegjit Zgjedhor.
Një skemë e tillë nuk është as e vetme dhe as e re për ne, sepse sidomos gjatë viteve të fundit sa herë që persona dinjitozë mblidhen për të arritur një objektiv të ligjshëm dhe progresiv, rezultati është gjithnjë i njëjtë: një tufë karkalecash dërgohen dhe shtrihen në çdo cep të punëve, gjithnjë të bindur dhe të gatshëm të kënaqin nevojat e dikujt që i urdhëron. Sapo ata ndërhyjnë, çështja merr tjetër formë, derisa ose braktiset fare, ose kthehet në të kundërtën e mendimit fillestar. Hajde ndaje pastaj shapin nga sheqeri!
Gjithçka ndodhi këto javë të kujtojnë përsëri atë legjendën e vjetër, sipas së cilës ZOTI u lut dhe lutja e tij thoshte “Qoftë vullneti im, që drejtësia ime u bëftë sipas mëshirës sime”. Është kjo lutja që kryeministri kishte nevojë ta shqiptohej dhe elektorati shqiptar ta dëgjonte, atëherë kur demoni i formalizmit tundonte intelektin e komisionerëve elektoralë dhe të gjyqtarëve zgjedhorë me joshjen e procedurave ligjore. Të atyre procedurave që përmbante ai ligj, pra Kodi Zgjedhor, i cili ishte shkelur me këmbë dhe flakur nën tavolinë. Sigurisht, nuk mund të thuhet se gjyqtarët janë të autorizuar t’i lënë mënjanë afatet e përcaktuara, por janë të detyruar t’u përgjigjen jo vetëm këtyre, por të gjitha kërkesave të shtruara në paditë përkatëse, gjë që nuk ndodhi edhe as në vendimet e Komisionit dhe as në ato të Kolegjit. Pra, kur atyre detyra ua kërkon të thonë deri ku duhet të shtrihen ose të kufizohen kuadri ligjor dhe praktikat ekzistuese, më së pari duhet të lënë të drejtën dhe drejtësinë që të përcaktojnë rrugën, drejtimin dhe largësinë e interesit të përgjithshëm. Kështu, në këtë fushë mund të ketë gjithmonë një politikë parësore, që duhet të jetë zotëruese edhe mbi vështirësitë e rastit apo pavolitshmëritë e përkohshme, për të mos flijuar lehtësisht sigurinë, uniformitetin, rregullin dhe vazhdimësinë.
Në të gjithë botën demokratike dhe në traditat e të dyja të drejtave sunduese të kësaj bote është pranuar dhe kërkohet që pikërisht këtyre elementeve u duhet dhënë ajo rëndësi që dikton një gjykim i shëndoshë; ato janë pjesë përbërëse të asaj mirëqenieje shoqërore, që edhe juristët kanë për detyrë ta zbulojnë. Rregulli që nuk ia arrin qëllimit, siç shprehet i famshmi Dillon, nuk mund ta përligjë ekzistencën e vet “Konsideratat etike mund të hiqen nga dhënia e drejtësisë, e cila është qëllimi i të gjitha ligjeve civile, po aq sa mund t’i hiqet ajri i jetës njeriut në vendin ku ai jeton”. Dhe, tani ky Kryeministri ynë del e deklaron, se me procesin e fundit ku u bë kërdia në manipulimin e votave, në shqyerjen e kutive dhe në cungimin e vendimeve gjyqësore, doktrina e të drejtës elektorale na u pasurua(?!). Ndonëse, kur shqiptoi së fundmi këto profka të rëndomta të tij, goja i rrinte shtrëngueshëm, jo si zakonisht. Mesa duket, me buzëqeshje dhe, aq më pak, me nënqeshje, nuk mund ta ftonte apo t’i lutej opozitës që të bashkëpunonin për reformën zgjedhore.
Ky bashkëpunim, pa dyshim që nuk kërkohet nga dëshirat e sinqerta të këtij kryeministrit tonë, për ta futur dhe shpejtuar Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Ai diktohet prej kritereve të Kopenhagenit dhe prioriteteve të përcaktuara nga Brukseli, për t’i hapur popullit tonë perspektivën e një të ardhmeje më të mirë. Në këtë kuptim, kryerja e reformave, pjesa përbërëse e të cilave – ligje të rëndësishme që s’mund të miratohen vetëm me votat e maxhorancës parlamentare - mund t’i krijojnë kryeministrit një shtrat më të gjatë e më të gjerë nga ai i Prokustit, për t’i shtrirë akoma më lirisht gjymtyrët e veta gërryerëse. Dhe, ky konstatim nuk është fryt i ndonjë fantazie dhe as i ndonjë armiqësie me personin e tij. Ky konstatim është tashmë i provuar prej gjithë praktikës ligjore dhe ekonomike e ndjekur deri tani nga maxhoranca qeverisëse dhe lideri i saj. Një praktikë, që nuk flet për rëndësinë, me të cilën vlerëson ajo zgjerimin e kodifikimit të domosdoshëm për integrimin, por më së shumti për moszbatimin dhe fragmentimin e tij, për të mbushur gropat e mëdha politike dhe financiare që ka krijuar gjatë drejtimit të këtij vendi të vogël ballkanik. Vështruar nën këtë prizëm, nënshtrimi i plotë i opozitës ndaj prirjeve gjithnjë e më autoritariste e monokratike të kryeministrit, në emër gjoja të këtij lloj “bashkëpunimi”, nuk duket që do të ndalë lëngimin e një populli të tërë. Përkundrazi, sipas të gjitha gjasave, do të shtojë përherë e më shumë distancat që na ndajnë me kombet e zhvilluara e të qytetëruara. Hajde thuaj pastaj që do ta ndajmë shapin nga sheqeri!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›