E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daltonizmi i politikës kosovare



Nga Gjon KEKA*

Duke u nisur nga vetë esenca, forma dhe mënyra e brendshme e një shteti demokratik dhe modern, Kosova lë të kuptohet si një shtet i paformuar mirë, jofunksional dhe tepër i rrezikshëm për ardhmërinë e popullit të saj. Kjo po ndodh jo se Kosova nuk e ka përmbushur përpjekjen e saj në histori për të qenë e pavarur dhe me njohje të gjerë ndërkombëtare, por kjo ndodh nga mënyra e egër e keqmenaxhimit dhe mosvënies së themeleve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në shkëmbin e të qenit shtet demokratik, juridik dhe modern. Të gjitha proceset historike pozitive të këtij vendi çuan ujë në mullirin e lirisë dhe pavarësisë së saj si dhe integrimit të këtij shtetit të mbikëqyrur në familjen evropiane, ndërsa proceset negative të një pjese të errët të historisë tanimë të ndërtimit e hedhjes së themeleve shtetërore, si duket po çojnë ujë në mullirin me krahë, që jo vetëm se një ditë do ta kapë era e do ta shkatërrojë, porse do ta zhyste thellë edhe vetë popullin në një ngrehinë që shekujt e ardhshëm nuk do mund ta nxirrnin dot.

Të gjitha përpjekjet e popullit të Kosovës u bënë që Kosova të ecte e lirë një ditë dhe se kjo liri dhe mëvetësi të sillte progresin e shtetit duke e vënë atë në funksion të drejtësisë dhe zhvillimin e shëndoshë të demokracie, ekonomisë dhe të proceseve të tjera integruese. Askush nuk e ka menduar së Kosova do ta ketë një lloj lirie si kjo e këtyre viteve pas pavarësisë, kjo nuk është liri dhe as nuk i ngjan asaj lirie thelbësore, as nuk i ngjan një shteti juridik e demokratik, por më shumë i ngjan një “robërie qejfesh pushtetarësh” dhe një shtet që më shumë është “shtet i partive” sesa shtet demokratik dhe me vizion që ardhmërinë e tij ta ketë drejt përbashkësisë me familjen e shteteve moderne demokratike.

Edhe pse Kosova ka një vit e ca që ka deklaruar pavarësinë e saj nën mbikëqyrje ndërkombëtare, ajo ka mbetur në një status quo konceptesh mënyrash dhe veprimesh shtetërore e zhvillimore të procesit të ndërtimit dhe ecjes së saj si shtet i mbikëqyrur. Gjithashtu, pushtetarët janë të lidhur aq keq me status quon saqë tani u ka konvenuar aq shumë që duke shfrytëzuar situata të llojllojshme transitive të thirren në rezoluta, të cilat jo vetëm se janë bazament i kësaj ndërtese të re, porse edhe përfaqësojnë edhe skemën e ngjyrave të sotme të mbështetjes dhe të ruajtjes së kësaj ndërtese nga armiqtë e jashtëm dhe ata të brendshëm. Në skenën politike të Kosovës ende nuk është hequr qafe daltonizmi i mospamjes së plotë dhe në mënyrë reale i gjithë skeletit dhe anatomisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës që nga hedhja e themeleve të saj e deri te futja e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në kapilarët modernë të proceseve progresive dhe arritjes së qëllimit final të integrimit të tij.

Ajo që sot mund të vërejë çdo mendimtar politik dhe çdo njeri që ka dioptrinë e rritur të pamjeve mendore është se shteti i sotëm i mbikëqyrur i Kosovës është ndërtuar mbi themele të pasigurta, sepse i ka nisur punët nga anash duke u marrë më shumë me ngjyrën e kësaj pavarësie të mbikëqyrur nga jashtë duke harruar se brenda ka shumë punë që ende nuk janë zgjidhur dhe bile ato janë shtyllat që në të ardhmen do të mund ta mbajnë ose ta lëshojnë këtë shtet të mbikëqyrur. Ndërsa, Kosova, me një menaxhim të tillë të keq dhe me një politikë të tillë daltoniste do të ngelet një shtet dobiç, i rremë, i përçudnuar, i zhveshur nga çdo e drejtë, i shfytyruar etj., etj., prandaj ajo duhet ta largojë nga jeta e saj e brendshme vesin e keqmenaxhimit, ta heqë nga procesi mënyrën e kotë dhe zhveshëse të arsyes së rreme se kinse po ndodhin mrekulli dhe t'i hedhin themelet e shtetit demokratik e juridik, se përndryshe Kosova do t’i ngjasonte një shteti pa titullarë dhe jofunksional.

Ndërkaq, privilegjet edhe përkundër këtyre damkave fatkeqe që pushtetarët do mund t'i shkaktonin shtetit të mbikëqyrur të Kosovës si dhe vetë popullit nuk do t’u mungonin pushtetarëve, sepse ata janë pjesë e prishjes dhe ndreqjes së pamjes së këtij shteti, ata mund të jenë ruajtës dhe keqpërdorës të lirisë dhe besimit të popullit apo më mirë në një shtet demokratik pushtetarët duhet të mendojnë dhe të veprojnë duke i shtypur instinktivisht privilegjet e tyre të qejfeve dhe duke u marrë më shumë me lirinë dhe shtetndërtimin si dhe kënaqjen e popullit, më duhet të cek një mendimtar politik francez, Sieyês, i cili nënvizonte në lidhje me këtë se “nuk ndihesh i lirë kur ke privilegje, por kur ke të drejta që u përkasin të gjithëve”.

Orvatjet që po bëhen nga ana e pushtetarëve të Kosovës në lidhje me gjoja se Kosova është duke shkuar rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe është një shtet i sigurt dhe demokratik, janë të kota dhe të rrejshme, si dhe me një frazeologji të rrejshme e cila po e dëmton dhe do ta dëmtojë Kosovën në prezantimin e saj ndërkombëtar të të qenit shtet i mbikëqyrur, sepse Kosova ende nuk ka përmbushur asnjë kërkesë të Unionit Europian, pastaj një shtet me një keqmenaxhim të tillë, me korrupsion të skajshëm dhe me një mungesë të thellë të zhvillimit ekonomik nuk mund të arrijë edhe disa vite të bëhet pjesë e familjes evropiane, vetëm nëse ndryshohet pamja e sotme e Kosovës dhe mënyra e menaxhimit, si dhe një zhvillim i hovshëm do të mund ta ofrojë Kosovën drejt derës së Unionit Evropian.

Pushtetarët sot në skenën politike kanë harruar se janë duke shkelur mbi votën e popullit të tyre, janë duke shkelur mbi përpjekjet e një historie të tërë shekujsh e vitesh të popullit dhe njerëzve të saj që menaxhuan situata edhe më të vështira gjatë tërë historisë sesa ato tani, ndërsa sot pas lirisë dhe pavarësisë së mbikëqyrur, Kosova po bëhet një vend që pushtetarët e saj me duart e tyre po e shembin ardhmërinë dhe përpjekjet e të gjithë shqiptarëve në historinë e tyre të shtetëndërtimit. Premtimet e dhëna nga ana e pushtetarëve të Kosovës tani nuk kanë më asnjë vlerë, sepse nuk janë përmbushur, hipokrizia qesharake dhe iluzionet tani janë të pashme dhe të zbuluara nga ana e popullit kundrejt pushtetarëve dhe s'ka mbetur gjë tjetër te populli veç të mos besojë më dhe të kërkojë alternativa të tjera.

Dhe krejt në fund, Kosovën pushtetarët e saj po e bëjnë një ishull të çuditshëm dhe se ky ishull po i ngjason më shumë “ishullit të Korsikës”, e cila sapo ishte çliruar nga zgjedha e rëndë dhe normalisht se e meritonte që në ditët në vijim të jetonte e lirë, pasi kishte hequr prangat, por ajo, pas këtij çlirimi, ishte futur në një amulli dhe qorrsokak saqë kërkonte ndonjë të urtë që ta mësonte se si ta ruante lirinë, e cila ishte sublime dhe me vlerë ta pakontestueshme për të. Kështu edhe Kosova dhe populli i saj, i cili është zhytur në një zhgënjim dhe mosbesim të thellë ndaj pushtetarëve të saj, do të mund të vijë në përfundim se më e rëndësishme është për të se si ta ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj si dhe t'i mbajë si diçka të shtrenjtë se në të kundërtën në mungesë të njerëzve të urtë do të mund të bjerë pre e politikave daltoniste dhe e humbjes së plotë të atyre atributeve për të qenë shtet demokratik me synime dhe vizion të integrimit të saj në Unionin Evropian.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›