A po zgjohet Rusia?

Andrej ka lidhur një shirit të bardhë në mëngën e mantelit të tij, në shenjë proteste. “Ngjyra e bardhë është ngjyra e pastërtisë”, thotë ky banor 21 vjeçar i Moskës.
“Kjo duhet të shërbejë si shenjë se jemi ngopur me fëlliqësira dhe mashtrime. Dëshirojmë ndryshime dhe të vërtetën”, shton ai. E dashura e tij, Valentina, mbante në duar një buqetë me lule të mardha.
Pjesa më e madhe e njerëzve, të cilët mbushën gjatë fundjavës sheshin Bolotnaja, në qendër të Moskës, bartnin lule apo shirita të bardhë.
Në sfond prapa tyre vezullon kupola e Kremlinit. Aty Vladimir Putini synon të rikthehet sërish, pas zgjedhjeve presidenciale në mars. Por rruga e tij deri aty duket se do të vështirësohet. “Putin largohu” dhe “Putini është hajn”, janë parullat e njerëzve të tubuar në Bolotnaja.
Ka tashmë disa vite që zhvillohen protesta kundër njeriut më të fuqishëm në Rusi. Nganjëherë tuboheshin nga 5 mijë protestues, por në të shumtën e rasteve tuboheshin vetëm disa qindra prej tyre. Por gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Kësaj radhe sheshi Bolotnaja është i vogël, për të pranuar numrin e madh të qytetarëve të pakënaqur.
Policia flet për rreth 25 mijë protestues, ndërsa organizatorët për rreth 100 mijë. E vërteta qëndron diku në mes, me gjasë bëhet fjalë për rreth 50 mijë protestues.
Një demonstratë kaq të madhe Rusia nuk e ka përjetuar që nga fillimi i viteve të 90-ta.
Të hënën, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, filluan protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve, të cilat sipas vlerësimit të OSBE-së nuk ishin as të lira, e as korrekte. Sipas Komisionit Zgjedhor, partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, ka fituar rreth 49 për qind të votave.
Si Valentina dhe Andrej, në shesh u tubuan kryesisht të rinj, një gjeneratë e re, e cila është rritur me internet, por pa kujtime për Bashkimin Sovjetik. Pakënaqësinë e tyre ata deri me tani e kanë shprehur kryesisht online, në blogje apo në Twitter. Tani ata për herë të parë protestat e tyre i kanë bartur edhe në rrugë.
Ata marrëveshjen për të dalë në protesta e arritën në Facebook.
“Po dalim në rrugë, me qëllim që pushteti të na regjistrojë më në fund. Ja ku jemi. Dhe nuk do të largohemi. Mjaft më”, thotë Andrej. Zgjim të vetëdijes, e quan ai këtë.
Ministria e Brendshme e Rusisë lejoi rreth 50 mijë njerëz që të tubohen në qendër të Moskës. Helikopterët qarkullonin mbi kokat e demonstruesve, ngase Kremlini preferon të mbajë situatën nën kontroll.
Në skenë ngjitet shkrimtari Dmitrij Bikov. “Shumë njerëz më pyesin se si do të përfundojnë gjërat këtu. Por unë ju them: kjo këtu nuk do të përfundojë”, thotë ai. Shpërthejnë sërish thirrjet “Rusia pa Putinin” dhe disa thirrje të izoluara për përmbysjen e tij. Andrej nuk pajtohet. Ai shpreson se Rusia do të hyjë në rrugën e demokracisë, pa pasur nevojë për ndonjë revolucion. “Nuk ka asnjë mundësi për një ndryshim të shpejtë të pushtetit”, thotë ai.
Të këtij mendimi janë shumë protestues në shesh: trysnia shumëvjeçare e Kremlinit ka dobësuar tej mase opozitën, prandaj ajo do të ishte e stërngarkuar, po të ngrihej menjëherë në pushtet.
“Kemi nevojë për zgjedhje të lira, në mënyrë që një gjeneratë e re e politikanëve të dëshmohet në parlamentin e ri”, thotë Andrej.
Për këtë arsye, protestuesit në sheshin Bolotnaja i japin Kremlinit një ultimatum: kryesia ruse ka dy javë kohë që të shpall zgjedhjet e lira dhe që të reformojë ligjin zgjedhor. “Përndryshe do të kthehemi sërish”, thotë Valentina dhe niset së bashku me Andrejn për në shtëpi.
Nikita Belych, i cili dikur edhe vetë kishte kryesuar protesta si kryesues i opozitës, për t’u emëruar më vonë nga presidenti Dimitri Medvedev për guvernator të një province, para demonstratës kishte apeluar për kujdes: pushteti dhe shoqëria gjinden para një testi të madh dhe të rëndësishëm. “Ai duhet të kalohet, pa gjakderdhje, pa fyerje, pa histeri dhe pa dhunë”, tërhoqi vërejtjen Belych.
Ministria e Brendshme e kishte mbushur sheshin me polic, por për dallim nga herët tjera, ata kësaj radhe ishin të përmbajtur. Në mbrëmje madje edhe televizioni shtetëror njoftoi për protestën e madhe.
Duket se Rusia kaloi testin gjatë fundjavës. Por si do të rrjedhë situata më tutje, ngase një periudhë e vështirë e pret këtë vend.