Clegg kritikon Cameronin

Burime pranë liderit të liberal-demokratëve thanë për BBC se Clegg i ka bërë të qartë shefit të qeverisë se lëvizja e tij nuk ka qenë në të mirë të interesave kombëtare.
Lëvizja e Clegg është dukur e çuditshme, duke pasur parasysh që fillimisht ai e mbështeti mospjesëmarrjen në traktatin e ri evropian dhe u bë pjesë e bisedimeve për qëndrimin që duhej mbajtur.
”Sipas Clegg, mënyra se si Cameron veproi në Bruksel ishte më shumë një shou politik. Reagimi i tij e izolon vendin dhe është e qartë që rruga e duhur për t’u ndjekur do të kishte qenë bashkëpunimi me vendet e Eurozonës”, citoi “BBC” personin pranë liderit liberal.
Deklaratat e fundit sjellin një përçarje të madhe në koalicionin qeverisës, pasi dy partitë kryesore të jetës politike në vend ndajnë një qëndrim krejtësisht të ndryshëm mbi raportet që duhen vendosur me partnerët evropianë.
Qëndrimi i Cameron është mbështetur nga euro-skeptikët, të cilët argumentojnë se si një vend që përdor funtin, Britania nuk ka përse të përfshihet në problemet e Eurozonës.