Rikthehen luftimet në Tripoli
Rikthehet situata e pasigurt në Libi, me luftime sporadike që ndodhën gjatë të dielës në kryeqytetin Tripoli dhe në disa zona të tjera të vendit.
Një zëdhënës ushtarak konfirmoi në një televizion vendas se dy njerëz të armatosur hapën zjarr ndaj një autokolone makinash, që shoqëronin gjenaral-majorin Khalifa Haftar, pranë aeroportit.
Shkëmbimi i zjarrit vazhdoi edhe për disa orë të tjera përgjatë rrugës që lidh Tripolin me disa qytete bregdetare.
Rikthimi i dhunës në Libi rrit shqetësimin mbi mundësinë e arritjes së një stabiliteti, pas rrëzimit të Muammar Gaddafit, më herët gjatë vitit.
Që prej rrëzimit të diktatorit, janë shënuar disa episode të dhunës fisnore, midis fiseve që kanë formuar milici vendase.