E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja e investimit, 20 milionë dollarë

21/04/2009  Bashkëpunimi mes “Huawei Technologies” dhe Eagle Mobile

Kompania celulare përmirësime në rrjet brenda këtij viti

Zgjerohet gama e investimeve në rrjetin e kompanisë celulare Eagle Mobile. Me anën e një marrëveshjeje të nënshkruar në Kinë, mes kompanisë “Huawei Technologies” dhe Eagle Mobile do të realizohet një plan investimi me një vlerë rreth 20 milionë dollarë brenda këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i “Huawei Technologies Albania”, Xiao Yongshun, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, nënshkruan marrëveshjen në prani të Kryeministrit Sali Berisha në Shenzhen të Kinës. “Shqipëria zë një vend të veçantë në strategjinë e zgjerimit të Huawei në Evropë. Kompania jonë po i zhvillon në mënyrë të shpejtë investimet në rrjetet e komunikimit në Shqipëri në bashkëpunim me Eagle Mobile”, - tha zv/Presidenti Ekzekutiv e “Huawei International”, Li Ke në takimin me Kryeministrin Berisha. Zoti Berisha falënderoi “Huawei Albania” për punën e kryer. Ai i siguroi drejtuesit më të lartë të kompanisë se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat për të lehtësuar dhe mundësuar rritjen e aktivitetit të tyre ekonomik në Shqipëri. Kryeministri tha se Huawei mund të investojë në Shqipëri përmes mundësisë “Shqipëria 1 euro” të ofruar nga ekzekutivi shqiptar për investitorët e huaj. Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në zyrat qendrore të “Huawei Technologies”. “Huawei Technologies” u shërben aktualisht 35 nga 50 operatorët më të mëdhenj celularë duke pasur më shumë se 1 miliard përdorues në të gjithë botën. Në një periudhë prej 12 muajsh, Huawei mundësoi vendosjen dhe futjen në aktivitet të 300 antenave dhe qendrave të sinjalit të Eagle Mobile duke mbuluar rreth 98 për qind të popullsisë së Shqipërisë. Eagle Mobile me një strategji të vlefshme marketingu shënoi 258 000 abonentë më 31 janar 2008, ndërsa sot numëron më se 410 mijë abonentë në të gjithë vendin. Plani i investimit në rrjet dhe teknologjinë e fundit të kësaj kompanie për 2009-n arrin një vlerë më se 20 milionë dollarë amerikanë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›