E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP-ja e pati shansin, por 4 vjet nuk veproi

Reagimi Ish-pronarët, kundër nismës së deputetit Alibeaj. Kërkohet ndërhyrja e gjykatave

Shoqata e ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi” shprehet kundër nismës së deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, që i jep të drejtë Agjencisë së Pronave të shqyrtojë vendimet e shkuara të pronësisë. Ky qëndrim konfirmohet nga ana e sekretarit të kësaj shoqate, Agim Toros. Sipas tij, AKKP-ja e ka pasur këtë të drejtë për më shumë se katër vjet dhe nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë. Tashmë, sipas Toros, mazhoranca parlamentare duhet të respektojë vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, e cila i heq të drejtën AKKP-së për të anuluar vendimet e vjetra për pronat, duke ia lënë këtë kompetencë vetëm gjykatave të vendit. “Agjencia e Pronave, që nga 2006-a deri më sot, i kishte të drejtat të anulonte veprimet e padrejta dhe në asnjë rast nuk e bëri këtë. I kaloi në heshtje e nuk veproi, edhe kur i kishte rastet e qarta. Tani që i iku kjo e drejtë kërkohet t’i vendoset prapë dhe ne për këtë nuk jemi dakord. Drejtorët e AKKP-së nuk e kishin aftësinë për ta realizuar këtë ligj dhe kjo e drejtë nuk u duhet lënë më”, thekson Toro. Sipas tij, duhet të jetë Avokatura e Shtetit apo institucionet e tjera ato që mund ta marrin përsipër këtë detyrim, por gjithmonë vetëm nëpërmjet gjykatave të vendit. “Vetëm gjykatat e vendit kanë të drejtë të vendosin mbi një titull pronësie dhe asnjë institucion tjetër administrativ nuk mund ta bëjë këtë”, saktëson përfaqësuesi i ish-pronarëve. Por, sipas Toros, është e drejtë që një rishqyrtim i vendimeve të shkuara të komisioneve të pronave duhet të bëhet. “Ne pranojmë faktin se që nga 1993-shi e deri më sot, janë dhënë shumë vendime të gabuara. Kjo ka ardhur nga korrupsioni që ka pasur në komisionet e pronave, të cilat u kanë shpërndarë prona miqve politikë në mënyrë abuzive”, thekson Toro. Por, sipas tij, vendime të gabuara janë edhe ato që u ndërmorën në zbatim të vendimit 560 të Këshillit të Ministrave, ku me dy dëshmitarë dhe me një kryeplak të fshatit vendosej në mënyrë të çuditshme pronësia.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›