AKT’i mbush 15 vjet
Dikur një “teatër epik”, i cili qe themeluar në vitin 1994, dhe që deri në vitin 1997 funksionoi si teatër shëtitës profesional, në vazhdimësi i kontribuoi artit dhe kulturës sonë.
Kjo, derisa nuk u krijua Shtëpia Teatrore Filmike AKT, e cila e vazhdoi rrugën e nisur. Sot AKT’i kremton 15- vjetorin e themelimit, duke sjellë një kronologji të krijimeve artistike, respektivisht të gjithë punës së bërë në vitet pas themelimit të AKT’it.
Sipas, themeluesit të AKT’it, aktorit Mentor Zymberaj, njëra nga idetë kryesore që e nxiti themelimin e kësaj hapësire artistike erdhi me qëllimin që t’iu jepet sa më shumë hapësirë temave tona autoktone. “Mu duk se, nëse themelojmë edhe diçka tonën, do ta bëjmë edhe një shtëpi, edhe një teatër, apo çfarëdo qoftë tjetër të ngjashme, dhe pastaj do të kemi edhe një hapësirë më të madhe për ta thënë mendimin tonë, si krijues”, thekson Zymberaj.
Zymberaj shton edhe atë se, ngushtimi i hapësirës artistike që ishte krijuar asokohe (natyrisht, gjithmonë duke iu referuar fillimit të viteve të 90’ta), ka ndikuar shumë edhe në dhënien e hapësirës së mbetur temave që, kryesisht, e preokuponin shoqërinë kosovare. Kjo duket të ketë pasur sukses, ngaqë të gjitha temat e projekteve të realizuara nga AKT, në fakt janë tema që i ndërlidhen ngushtë me problemet shoqërore.
Sipas Zymberajt, nuk ka qenë aq e lehtë të realizosh gjithë këto krijime me aq pak ndihmë. Si radhojë, mundësitë ishin shumë të vogla për të paguar qoftë për një tekst, regji apo edhe për lojë aktoriale. Prandaj, Zymberaj thekson se kjo ishte një prej arsyeve kryesore që ai vetë shpeshherë shfaqej si tekstshkrues, si regjisor, por edhe si aktor.
“Kemi investuar në artin dhe kulturën tonë me aq mundësi sa kishim, me aq hapësirë sa kishim, dhe në çdo vend ku mundim. Pra, nuk puna e as realizimi i projekteve është ndalur, madje as atëherë kur nuk kemi pasur mjete”, thotë Zymberaj.
Ai tani i falënderon të gjithë bashkëpunëtorët, ndonëse me një theks të veçantë Zeni Ballazhin, i cili gjithnjë ka qenë i gatshëm që të ndihmojë në realizimin e projekteve.
Ndryshe, AKT’i njihet për bashkëpunime të shumta, qoftë me nxënësit e Shkollës së Artit, me studentët e Fakultetit të Artit, apo edhe me gjeneratat paksa më të vjetra.
Në kuadër të kësaj shtëpie krijuese funksionon edhe grupi i aktorëve të rinj, “aktorët e rinj profesionalë” - i cili ka realizuar tri shfaqje profesionale, por edhe Kursi Profesional i Aktrimit, pjesë e të cilit janë dhe mund të jenë të gjitha grupmoshat. Ndërkaq, me rastin e shënimit të 15-vjetorit, do të themelohet edhe STUDIO AKT, që do të jetë pjesë e AKT PRODUCTION, gjegjësisht e Shtëpisë Teatrore Filmike AKT.
Po ashtu, me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të saj, shfaqja “Nata e fundit në Goliotok” është shpallur si shfaqja më e mirë e këtyre viteve të punës së AKT’it, ndërkohë që si shfaqja më e mirë sivjet u shpall monodrama “Aktori në kuti”, me tekst, regji dhe aktrim të Mentor Zymberajt. Kjo m,monodramë do të shfaqet të enjten, për të shënuar kështu 15-vjetorin e ekzistimit të AKT’it. Shfaqja jepet në Teatrin Dodona, me fillim nga ora 19:30. Kjo shfaqje ka qenë pjesë e shumë festivaleve, dhe disa herë ka qenë fituese e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Projektet 15-vjeçare të AKT’it
Projektet e deritanishme teatrore:
-“SAKRAMENTI “ M. Zymberaj , E Gjocaj; T. EPIK
-“SHQIPTARI ME DUAR NË XHEPA” I. Qosja; T. EPIK
-“MONODRAM PËR MUA DHE ZOTIN” I. Qosja; SH.T.F. AKT
-“TITANIKU SHQIPTAR” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“PACIENTËT” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“JU BËFTË MIRË” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“KRONISTI I TË VRARËVE” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“NATA E FUNDIT NË GOLI OTOK” Xh. Qorraj; SH.T.F. AKT& Teatri Kombetar
-“DEBANTI POLITIK” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“LETËR NGA BURGU…LETËR NË BURG” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“BETOHEM SE…!” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“ËNDËRRA E FUNDIT” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-”LUMTURIZËT” M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“TRËNDAFILI I KUQ” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“PERSONAZHËT ANTIK” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“MONOLOGET E KALASE” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“PROFESOR...GJILPERA!” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“AKTORI NE KUTI” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“PHIII...!!!” M. Zymberaj; SH. T. F. AKT
-“OMU...PERSONI”, M. Zymberaj; SH.T.F. AKT
-“QENDRESA”, S. Lokaj; Sh.T.F. AKT
-“1999”, M. Zymberaj; Sh.T.F. AKT
-“LUNDRA” M. Zymberaj; Sh.T.F. AKT & UP i Prishtines(Fak. Arteve)
-“VIKTIMA” M. Zymberaj; Sh.T.F. AKT & Qendra e Gruas-Peje
Projektet filmike (dy filma televiziv dhe një film i shkurtër artistik:
-“VALLJA E ÇMENDUR” I. Qosja; SH.T.F. AKT
-“DESHA TA SHOHË DIELLIN” Xh. Qorraj; SH.T.F. AKT
-“REFREN PER KOSOVEN”, Dh. Ismailaj; Sh.T.F AKT & Dyrrachium Production (USA)
Performancat për fëmijë:
“FËMIJËT PËR FËMIJËT E RËNË”
-“UNË…NUK KAM FAJ!”
-“T’I IMITOJMË PROFESORËT!”