E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI largon të punësuarit, kërkon specialistë

27/07/2009  Legalizimet

Drejtoria e ALUIZNI-t në Durrës ka larguar nga puna shumë të punësuar, të cilët kanë mbyllur kontratën e nënshkruar në kohën e fillimit të punës. Drejtori i ALUIZNI-t, Andi Lila, ka pohuar se drejtoria po rikonceptohet mbi baza të reja duke marrë në konsideratë potencialet intelektuale të personave që do të jenë pjesë e organikës së re. Në kohën, që kjo drejtori nisi së funksionuari, ka pasur 145 specialistë e persona me arsim të mesëm. Sipas Lilës, tani drejtoria ka ardhur në fazën e pasqyrimit të të dhënave si dhe operimeve në kompjuter. Kjo kërkon kualitete ndër specialistë, të cilët do të duhet të përballen me volum të madh pune. “Deri tani punonjësit ishin në terren në verifikimin e vetëdeklarimeve dhe matjeve, proces që kryhet lehtësisht edhe nga persona me pak kualifikim”,-ka thënë Lila. Mbështetur në VKM numër 606, datë 27.4.2009 dhe VKM numër 360 datë 7.7.2009 specialistët duhet të kenë shkallë të lartë njohurish në kompjuter. “Cilësia e punës së gjithsecilit në kompjuter dhe dega e diplomimit janë kriteri numër 1 në fazën që kemi hyrë”,-bëri të ditur drejtori i ALUIZNI-t në Durrës Andi Lila. Ai ka thënë se janë larguar afro 70 të punësuar apo gjysma e numrit të përgjithshëm dhe se në vendin e tyre do të vinë specialistë të mirëfilltë me Fakultet të Ndërtimit apo të Gjeologjisë, teknikë dhe studentë të këtyre fakulteteve. Në çdo 3 muaj kjo kategori do të kualifikohet në qendrat e ngritura në nivel kombëtar. Një reformë e tillë është shtrirë në të gjitha sektorët e kësaj drejtorie, reformë që është cilësuar nga Lila si e rëndësishme dhe e domosdoshme për t’u realizuar. Drejtori ka pohuar se një pjesë e punonjësve janë larguar vet sapo janë vënë përballë volumit të ri të punës për shkak të mungesës së kapaciteteve vetjake profesionale në realizimin e detyrës. Lila ka vlerësuar punën e deritanishme të bërë nga specialistët duke deklaruar se po ecet me ritmet e duhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›