E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abdiu: Presidenti të mbrojë kompetencat e tij kushtetuese

Intervista Ligji për “Faljen” venit të drejtat që Kushtetuta e i jep kreut të shtetit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, deklaroi se politika po bën përpjekjen e radhës për venitjen e kompetencave të Presidentit të Republikës. Në një intervistë për “Shqip”, Abdiu thekson se në projektligjin për “Faljen” u rrudhet një nga kompetencat më të rëndësishme të kreut të shtetit, ndaj ai bën thirrje që Presidenti Topi të mbrojë të drejtat e tij kushtetuese, duke përgatitur një ligj për funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës...

Zoti Abdiu, ditët e fundit Kuvendi po diskuton projektligjin për “Faljen”, i cili në media është komentuar se i rrudh edhe më shumë kompetencat e Presidentit të Republikës. Si do ta konsideronit këtë zhvillim?

Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje më lejo të evidentoj një fakt që lidhet me të, por që ka rëndësi shumë më të madhe se kjo çështje konkrete, edhe pse del tej kuadrit, por mendoj se ka një rëndësi më të madhe. Kushdo që ndjek me sadopak vëmendje ngjarjet dhe veçanërisht situatën juridike konkretisht angazhimin e institucioneve për të kryer detyrat kushtetuese, mund të konstatoj se vitet e fundit në Shqipëri po mbisundon tendenca për të venitur rolin, autoritetin dhe kompetencat e Presidentit të Republikës. Pas kompromisit “të madh” për mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit që e vulgarizoi mjaft procedurën e ardhjes së tij në krye të Republikës, pas spostimit të Presidentit në lidhje me të drejtën për të qenë deri diku aktor në procesin zgjedhor, nuk kanë munguar edhe përpjekje të tjera që i shërbejnë këtij qëllimi. Kohët e fundit në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, në kundërshtim me standardet e saj dhe të Konventës Europiane në lidhje me karrierën, afishimin e personave të veçantë në poste të larta në shtet dhe në drejtësi, në kundërshtim dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, po bëhet një përpjekje për t’u kthyer në mentalitet sundues, pikëpamja për të vlerësuar politikisht kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës për në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera të pavarura. Konstatimi që doli nga gjykimi i marrëveshjes së ujërave me Greqinë, ishte ku bëhet evident fakti se Presidenti ishte spostuar nga përmbushja e detyrave të tij funksionale, pasi kompetencën e tij e kishte marrë qeveria, pa shkaqe të përligjura qe një tregues që të bënte të mendoje dhe të dyshoje për mentalitetin për ta spostuar kreun e shtetit nga funksioni i tij i rëndësishëm për “delimitimin” e Presidentit nga ky post. Së fundi, me sa jemi vënë në dijeni nga mediat, Komisioni Parlamentar i çështjeve Ligjore po diskuton një projektligj në lidhje me faljen që drejtpërsëdrejti lidhet me kompetencën e Presidentit të Republikës për të ushtruar të drejtën e tij për të falur. Të tilla tendenca mund t’i gjejmë edhe në raste të tjera, por qëllimi ynë nuk është që të mbetemi thjesht në analizën e këtyre argumenteve.

Duke u rikthyer tek objekti i pyetjes së parë. Në draftin aktual kufizohet kompetenca e Presidentit me ligj. Realisht ka të drejtë Kuvendi ta bëjë këtë?

Rreth kësaj pyetjeje duhet të theksoj fillimisht se me sa kam konstatuar, për shkak se mund të kem informacion jo shumë të plotë, por me aq sa kam vënë re nga diskutimet në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore më ka lidhur dyshimi se po bëhet një përpjekje e tretë që me sa duket është rrjedhojë e ndonjë kompromisi mes forcave kryesore politike, pavarësisht se nuk janë shpalosur argumentet e një qëndrimi të tillë për të kufizuar maksimalisht edhe këtë kompetencë të Presidentit të Republikës. Sipas nenit 92, pika b të Kushtetutës: Presidenti i Republikës ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit. Kjo kompetencë, si dhe disa të tjera është formuluar në mënyrë të tillë, duke nënkuptuar faktin se Kushtetuta autorizon nxjerrjen e një ligji konkret për këtë problem me qëllim që Presidenti i Republikës të vihet në kushte të qarta, të sakta, po komode, ligjore dhe Kushtetuese për ta ushtruar këtë të drejtë. Pra Kushtetuta ka autorizuar ligjvënësin për ta detajuar, zbërthyer përmbajtjen e kësaj dispozite që shpreh këtë kompetencë të Presidentit në një ligj konkret. Me sa jemi në dijeni, një ligj i tillë ka ekzistuar, por për të qenë realistë mund të merrte rëndësi fakti se ai është disi i “vjetër” e si i tillë me të drejtë mund të diskutohej për ta amenduar, plotësuar e zbërthyer më në detaje këtë kompetencë kushtetuese, me qëllim që veprimtaria e Presidentit për ushtrimin e saj të bëhet sa më transparente duke vënë në balanca si domosdoshmërinë e respektimit të ligjeve penale në bazë të të cilave luftohet kriminaliteti, ashtu dhe karakterin social dhe human të shtetit të së drejtës që në rastin konkret mund të mishërohet edhe tek kjo e drejtë e Presidentit për të falur individë të veçantë për lloje dhe masa të ndryshme dënimi. Pa dashur për t’u marrë me konceptim dhe qëllimet që ka falja e individëve të veçantë, nuk mund të mohoj faktin se falja në vetvete është akt sa politik, sa dhe juridik e social. Kështu që në vija shumë të përgjithshme do të mendoja se këto kritere në këtë proces duhen harmonizuar. Pra, për të plotësuar ato dhe qëllime të tjera që ka ky akt, siç thamë është e nevojshme të ekzistojë një ligj për këtë qëllim. Por e rëndësishme është që ky i fundit kurrsesi nuk duhet të prekë thelbin, përmbajtjen e kësaj kompetence të Presidentit, pasi një prekje e tillë e sposton atë nga të qenët autoriteti kryesor dhe i vetëm që duhet ta realizojë faljen. Pra, me pak fjalë, nëse një ligj do të vendosë kritere që do ta zbërthejnë frymën e Kushtetutës për mënyrën e ushtrimit të procedurave për faljen për subjektet që mund të falë, lidhur me natyrën e veprave penale, për grupmoshat apo hollësira të tjera, ky proces në përgjithësi do të dukej normal pa e prekur në thelb në asnjë aspekt të drejtën e Presidentit për ta ushtruar faljen. Ndryshe do të qëndronte problemi nëse në një ligj të tillë Presidentit do t’i vendoseshin kufizime, pa ekzistencën e të cilave të mos kishte mundësi ta realizonte këtë të drejtë. Fjala vjen, nëse do të vendoset që të drejtën për t’i propozuar për falje do ta ketë vetëm ministri i Drejtësisë, do ta ketë ai ose edhe ndonjë organ tjetër, nënkuptohet fakti që Presidenti detyrohet të mos e ushtrojë realisht këtë kompetencë kushtetuese, por të mbetet brenda kornizave të propozimit të ministrit. Nëse do të ishte kështu do të mendoja se do të prekej thelbi i kompetencës së kreut të shtetit dhe do të kushtëzohej në mënyrë të tillë, sa kufizimi do t’i hiqte “të drejtën e autorësisë” Presidentit të Republikës dhe do ta vinte atë në kushte relativisht të vështira. Nëse kushtetutbërësi do ta kishte pasur si qëllim të tijin këtë fakt, nuk do të kishte asnjë pengesë për të kushtëzuar të drejtën e Presidentit për faljen sipas propozimeve të bëra nga Ministri i Drejtësisë. Pra, dyshoj se në rastin konkret nëse është gjendur kjo zgjidhje ligjore jemi përpara një tejkalimi të përmbajtjes së nenit 92 pikës b të Kushtetutës, pasi preket parimi i hierarkisë së normave, sepse siç kas pranuar edhe Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta e kushtetutbërësi nuk mund ta bëjë ligji. Pra, në rastin konkret dyshoj se një ndërmarrje e tillë ka mundësi të prekë standardet kushtetuese, të prekë thelbin e dispozitës së lartpërmendur.

Si mund të rregullohet ligjërisht funksionimi apo mbrojtja e kompetencave kushtetuese të kreut të shtetit?

Të bën përshtypje fakti se kërkesat e nenit 6 të Kushtetutës sipas të cilit organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë, rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur me të parashikohet ndryshe, nuk është realizuar për Presidentin e Republikës. Janë miratuar ligje për të gjitha institucionet kushtetuese, të cilat në përgjithësi plotësojnë standardet e saj, por pse jo deri tani për Presidentin e Republikës nuk është miratuar një ligj konkret. Për këtë mendoj se do të ishte i interesuar më shumë institucioni i Presidentit të Republikës, që çdo kompetencë të Kushtetutës ta kishte materializuar në ligjin konkret për të, me qëllim që ligjet e zakonshme në bazë të të cilave zbërthehen disa kompetenca të tij siç autorizon neni 92 i Kushtetutës, të mos përplaseshin me ligjin organik për institucionin e Presidentit. Pra pa dashur për t’u zgjatur rreth këtij konstatimi, të bën përshtypje fakti se nuk kemi vënë re asnjë përpjekje për një ligj të tillë, megjithëse ka kaluar një dekadë nga miratimi i Kushtetutës. Unë mendoj që një ligj i tillë do të kishte rëndësi për të bërë sa më transparente dhe të përgjegjshme detyrën dhe funksionet e Presidentit, por edhe për të shmangur përpjekjet e politikës apo të mazhorancave të veçanta për të zbehur kompetencat e Presidentit. Sepse fjala vjen, nëse do të ishte ky ligj, një ligj i thjeshtë nuk mund të binte ndesh me ligjin organik për Presidentin e Republikës.

Sipas jush, si mund të evitoheshin këto shmangie nga standardet kushtetuese?

Para së gjithash mendoj se është e drejta, por dhe detyra e përgjegjësia kryesore e Presidentit për të mbrojtur, për të zbatuar me rigorozitet kompetencat e veta, qoftë dhe duke u përballur me mentalitete apo koncepte që dëshmojnë për këto sa thamë, duke mos u mjaftuar me heshtjen e tij, sepse një qëndrim i tillë do të sillte dëme për punën e institucionit, autoritetin, pse jo dhe komunitetin dhe faktorë të tjerë që lidhjen me autoritetin e tij brenda e jashtë vendit. Së dyti, mendoj se është detyrë e partive politike parlamentare dhe joparlamentare që të jenë shumë të matur, të bëjnë kujdes në çdo hap qoftë dhe në procesin ligjvënës ku drejtpërsëdrejti apo indirekt ka të bëjë me rolin dhe vendin e Presidentit të Republikës e kompetencat e tij. Sepse jo pa qëllim kushtetutbërësi që në nenin e parë nenin 86 pika 1, dispozitë e parë që ka të bëjë me Presidentin e Republikës (ka përcaktuar se ai është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. A mund ta vlerësojmë realisht sesa dëm i sjell unitetit të popullit prekja e një kompetence të Presidentit të Republikës, pavarësisht nga fakti se ai vetë mund të mos insistojë fort në të drejtat e kompetencat e tij.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›