E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve debate për ligjin e faljes

Parlament

Komisioni i ligjeve ngelet në vendnumëro për miratimin e amendamenteve të opozitës për ligjin e faljes. Dy anëtarët e komisionit, respektivisht Enkelejd Alibeaj nga demokratët dhe Shegushe Ligori nga socialistët janë ‘përplasur’ dje me debate ironike në mbledhjen e komisionit, duke e bërë që konsensusi për miratimin e amendamenteve të zerohet dhe votimi i ligjit që i ul kompetencat Presidentit të mos shkojë në seancën e ditës së sotme. Anëtarët e komisionit i janë rikthyer nenit pesë, por çështja e “personit juridik” ka bërë që PD dhe PS të mos gjejnë gjuhën e përbashkët, por ka bërë që deputetët e dy spektrave të konfrontohen në debat ironik. Deputeti Enkelejd Alibeaj i është drejtuar opozitës duke i thënë që të kërkojnë sqarime në rast se nuk kuptojnë konceptin person juridik. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes socialiste, Shegushe Ligori, e cila tha se “Bën ironi, po kujt i bën ironi, hajde ta shikojmë. Mbylle gojën se s’i ke mbushur ditët ti, shut up”. Nga ana tjetër, Alibeaj është përgjigjur se “ta tregoj unë ty ndryshe”. Por ka qenë anëtari tjetër i komisionit, Bashkim Fino, i cili ka zbutur situatën duke iu drejtuar ish-ministrit të Drejtësisë. “O Alibeaj, je goxha burrë, si i thua një gruaje ta tregoj ndryshe”, u shpreh Fino.

Komisioni i Ligjeve, megjithëse i është rikthyer sërish nenit 5, nuk ka mundur dot ta miratojë atë dhe shqyrtimi nen për nen i projektligjit për faljen nuk ka mundur dot të merret në shqyrtim përtej nenit shtatë, duke bërë që bllokimi i punës të shtyjë miratimin e këtij projektligji në seancën e ditës së sotme në Parlament.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›