E Diel, 1 Nëntor 2026

Repishti: Klasa politike po dëmton Shqipërinë

SHBA

Profesori dhe intelektuali i njohur shqiptaro-amerikan, Sami Repishti, ka kritikuar klasën politike në Shqipëri për zhvillimet e fundit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, profesor Repishti thotë se “Përshtypja ime është se nuk kemi një klasë politike serioze në Shqipëri, por kemi dy grupe që luftojnë njëri-tjetrin, ose nuk pranojnë diversitet. Shqipëria ka nevojë për solidaritet mes gjithë atyre që e duan Shqipërinë. Gjuha që përdoret në qarqet politike është aq e ulët sa të vjen turp. Jam shumë i shqetësuar nga imazhi që lëshon sot Shqipëria në qarqet ndërkombëtare”. Sipas tij, hyrja e Shqipërisë në NATO nuk është meritë e politikës. Ai thotë se shqiptarët kanë hyrë në NATO, sepse kanë një pozitë gjeografike me rëndësi. Kritika për qëndrimin e politikës shqiptare, profesor Repishti ka hedhur edhe për çështjen e Kosovës duke thënë se “politika në Shqipëri nuk ka pasur një interesim serioz për Kosovën”. Në Shqipëri ka dalë sërish në skenë çështja e Tivarit, për të cilën Repishti përgjigjet se kjo çështje duhet të ishte ndjekur që në vitin 1992. “Ka mundësi që Ramiz Alia të dijë më shumë sesa ne, sepse ka qenë komisar i divizionit në Jugosllavi, por ka mundësi që Ramiz Alia të mos i dijë edhe të gjitha. Nëse i di, duhet ta vrasë ndërgjegjja që ka mbajtur gojën e mbyllur”, thotë ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›