E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jemi ndër 10 vendet më të mira të Europë

Kryeministri përshëndet raportin e institucionit të BE

Ekonomia shqiptare është afër performancës së dhjetë vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Ky ishte lajmi që dha dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë teksa citoi një raport të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e çështjeve të Ekonomisë dhe Financave në Bashkimin Europian për vendet e rajonit. “Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm dhe ka arritur shumë afër performancës së dhjetëshes së Bashkimit Europian. Këto arritje janë frytet e një kursi të thellë reformash, të cilat, të vlerësuara në raport me lirinë ekonomike, nxjerin përfundimin se Shqipëria është e para”, deklaroi Berisha në mbledhjen e qeverisë. Duke e konsideruar këtë si vlerësimin më maksimal që vendi ka marrë tërë historinë e tij, për ekonominë, Kryeministri Berisha u ndal më në detaje në gjetjet dhe vlerësimet e Raportit të Komisionit Europian, duke analizuar edhe faktorët kryesorë që e bëjnë ekonominë shqiptare solide. Sipas tij, raporti thekson se kjo rritje ka ardhur si pasojë e investimeve të mëdha. Berisha duke cituar raportin theksoi se vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi në kohën e krizës globale mbetën tërheqëse për investimet e huaja. Po kështu vuri në dukje Kryeministri, ky raport e konsideron Shqipërinë si një nga vendet me politika monetare fleksibël. Po kështu, Berisha theksoi se të ardhurat buxhetore u rritën në mënyrë të ndjeshme në Shqipëri dhe Malin e Zi dhe se kjo ishte arsyja që qeveria po arrin të rrisë rrogat dhe pensionet edhe për këtë vit. Prezantimin e këtij raporti më të dhëna të kënaqshme për ekonominë shqiptare kreu i qeverisë e përdori dje edhe për të përgënjeshtruar akuzat e hedhura nga kundërshtarët politikë, sipas të cilave Shqipëria po përjeton një krizë ekonomike. “Siç e shihni, zotërinj ministra dhe të nderuar qytetarë, ky raport i jep përgjigjen më të shkëlqyer atyre që ndjellin nga mëngjesi gjer në darkë, krizë dhe zi. Ky raport është përgënjeshtrimi i gjallë ndaj sagës së mashtrimit dhe imagjinatave për ata që ndjellin krizë”, deklaroi Berisha. Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij për raportin e KE-së, kreu i qeverisë ironizoi përfaqësuesit e PS-së me qëndrueshmërinë e lekut shqiptar, duke theksuar se ky lek nuk ishte i njëjtë me atë që u shpërnda përpara Kryeministrisë gjatë kohës së grevës së urisë. Po kështu, Kryeministri Berisha e krahasoi lirinë ekonomike në vend edhe me zgjedhjet e lira që u zhvilluan në qershorin e kaluar në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›