E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca hesht, opozita përshëndet BE

Reagimet. Forcat politike komentojnë deklaratën e Parlamentit Europian Bumçi: Do të mbajmë qëndrim. Bushati: Topi në fushën e Berishës

Opozita shqiptare vlerëson si objektiv qëndrimin e mbërritur dje nga dy grupet kryesore parlamentare të Parlamentit Europian, duke nënvizuar qartë se përgjegjësia politike për zgjidhjen e krizës tanimë i takon shumicës në pushtet. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, deputeti socialist, Ditmir Bushati, ka theksuar se mesazhet e komunitetit europian janë koherente dhe vijnë në përputhje me logjikën e situatës së ndërlikuar nga kokëfortësia e qeverisë dhe Kryeministrit. “Ajo çfarë u tha dje mendoj se është në përputhje me deklaratën e së hënës në Luksemburg; pra në momentin që të bëhet e qartë se mbajtja e kësaj situate dhe mos reflektimi ndaj kërkesave të parashtruara që burojnë nga parimet e demokracisë vijon, atëherë do vihet në diskutim rruga ku ke hyrë. Unë mendoj pra se tanimë topi është në fushën e shumicës, pasi opozita ka shprehur të gjithë vullnetin për zgjidhjen e krizës dhe arritjen e kompromisit konform propozimeve të partnerëve ndërkombëtarë. Se cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i BE, këtë unë nuk mund ta them, por gjithsesi duhet kuptuar se roli i komunitetit ndërkombëtar është lehtësues për komunikimin e vështirë politik që ne kemi aktualisht. Në finale sigurisht që kriza do zgjidhet nga aktorët shqiptarë dhje kjo është e rëndësishme të kuptohet dhe mbahet parasysh. Sa u përket pasojave mendoj se ajo hetohet nga dinamika dhe përmbajtja e mesazheve që janë dërguar në adresë të Shqipërisë se ai do të lidhet ngushtë me integrimin dhe liberalizimin e vizave. Pra ky pozicionim i shumicës priret të penalizojë qytetarët shqiptarë në ato aspekte që ata kanë kohë që i presin të realizohen”, u shpreh Bushati. Kështu, apeli i BE po përcillet nga opozita si një dokument që shton peshën e përgjegjësisë, të cilën qeveria shqiptare me sa duket nuk pranon ta marrë. Të njëjtin lexim u ka bërë zhvillimeve të fundit edhe kreu i G99, Erjon Veliaj, i cili i ftuar në një emision televiziv ka nënvizuar sërish përqendrimin e vëmendjes te shumica. “Kjo është në vijim të deklarimeve të tjera që janë bërë nga komunitetin europian dhe tashmë është e qartë se Kryeministrit Berisha i kërkohet që të gjejë zgjidhjen e munguar prej kaq kohësh”, tha kreu i G99. Transparenca e mohuar dhe e kthyer në një kredo përcaktuese po komprometon edhe moralin politik të alibive të shumicës, besueshmërinë e institucioneve, por më shumë se kaq perspektivën e shumëpritur të lëvizjes së lirë. Një e dhënë më shumë që flet për ndërlikimin e situatës është edhe heshtja e Kryeministrit pas takimit të së hënës në Luksemburg, që mund të shihet si moment cilësisht i ri në qëndrimet e komunitetit europian. Edhe për sa i përket deklaratës së PE-së dje, përfaqësuesit demokratë kanë shmangur prononcimin me argumentimin e “nevojës për të lexuar dokumentin”. Një heshtje kjo që nxit edhe më shumë pretendimin e opinionit për një përgjigje dhe reagim, pasi java ku kemi hyrë po shfaqet si përcaktuese edhe për heqjen e vizave të paralajmëruar për t’u bërë efektive që këtë vit. Ndërkaq, sekretari për marrëdhëniet publike në Lëvizjen Socialiste për Integrim, deklaroi se deklarata më e fundit është apeli i radhës për përgjegjshmëri dhe sjellje europiane në shërbim të interesave europiane të vendit. LSI gjen në këtë deklaratë mesazhin e përsëritur në respekt të Kushtetutës dhe në pajtim të plotë me këtë frymë, ndaj i fton palët të kontribuojnë për normalizimin e jetës politike në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›