Qeveria lë administratën e Kushtetueses pa rroga
Qeveria ‘hakëmerret’ ndaj Gjykatës Kushtetuese. Prej tre muajsh, ministria e Financave ka bllokuar rrogat e shoferëve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i qeverisë për “funksionimin dhe rregullimin e transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, nuk u ka hequr të drejtën gjykatësve për përdorimin e makinave shtetërore, por duket se Ministria e Financave ka bllokuar fondin e lekëve për këtë kategori. Burime pranë Gjykatës Kushtetuese pohojnë se shoferët e zyrtarëve të lartë kanë rreth 3 muaj që nuk marrin rrogën, për shkak se fondi është bllokuar nga Ministria e Financave. Në Gjykatën Kushtetuese janë 16 automjete zyrtare, shumica e të cilave janë tip “Benz” dhe 10 automjete, të cilat përdoren nga stafi i këtij institucioni. Rrëzimi i ligjeve të qeverisë “Berisha” duke i dhënë në këtë mënyrë një shuplakë mazhorancës ka bërë që kjo e fundit të ‘hakmerret’ duke bllokuar fondin e pagave për shoferët. Pak muaj më parë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese patën probleme në vonesat e marrjes së rrogës, pavarësisht se Ministria e Financave e cilësoi këtë si një problem teknik, pasi e kishte alokuar fondin. Situata është krejt ndryshe në Gjykatën e Lartë, ku nuk është reduktuar as numri i automjeteve, as numri i shoferëve dhe as është krijuar vonesë në dhënien e pagesës te shoferët e gjykatësve. Ishte pikërisht, Gjykata Kushtetuese ajo që rrëzoi poshtë vendimin e qeverisë për heqjen e makinave të gjyqtarëve me gjashtë vota pro dhe tre kundër. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj cenonte pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Argumentimi i këtij institucioni ishte se si institucione kushtetuese, funksionimi i këtyre gjykatave përcaktohet në Kushtetutë dhe si i tillë kërkon rregullisht tri të pestat e votave të deputetëve të Kuvendit dhe jo një shumicë të thjeshtë, ashtu siç është miratuar ky ligj në Kuvend. Po kështu, ky institucion nuk është treguar aspak tolerantë me qeverinë dhe mazhorancën duke rrëzuar edhe ligje të tjera si ligji i Lustracionit, ligji për Kufirin Detar me Greqinë dhe ligjin për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor dhe ligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit”.
#