Grekët e Korçës, me emra e mbiemra myslimanë
“Minoritarët” grekë të “Omonia”-s në Korçë nuk janë vetëm personat me përkatësi fetare ortodokse. Në listat e paraqitura pranë zyrës së “Omonia”-s, pas publikimit të skandalit me vizat greke, mësohet se të gjithë personat që kanë paguar për vizat greke, nuk i përkasin aspak minoritetit grek dhe as kritereve të përzgjedhjes së anëtarëve, ku sipas vetë statusit të kësaj organizate, anëtarët duhet të jenë me origjinë greke dhe rrjedhimisht me përkatësi fetare ortodokse. Emrat e personave që kanë depozituar dokumentet për të marrë viza si anëtarë të “Omonia”-s tregojnë se këta shtetas i përkasin besimit mysliman. Për faktin se nga ana e “Omonia”-s anëtarët janë të gjithë ortodoksë, me nisjen e ankesave nga shtetasit që kanë paguar për viza, është mësuar se ata jo vetëm nuk janë anëtarë, por kanë një tjetër përkatësi fetare. Myslimanët e Korçës janë trajtuar nga “Omonia” si anëtarë të minoritetit grek. Ky paradoks ka rënë në sy të përfaqësuesve të kësaj organizate, që po mbajnë listën e personave që kanë paguar për viza. Ata paraqiteshin pranë konsullatës nga ana e kryetarit të “Omonia”-s si anëtarë për të cilët kërkoheshin viza greke.
#