E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administratori i “Ferrar”, dy padi kundër deputetes Felaj

13/01/2011  Arjan Çukaj: Deputetja e PS-së, s’bën karrierë politike duke më përbaltur

Biznesmeni i kërkon dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh

TIRANE- Administratori i kompanisë “Ferrar” sh.p.k, Arjan Çukaj, ka paditur për akuzën e shpifjes dhe kanosjes deputeten e PS-së Ermonela Felaj, e cila në një dalje publike ka pohuar se kjo kompani është shpallur fituese e një koncesioni hidrocentrali, falë lidhjeve të ministrit Genc Ruli me bashkëshortin e deputetes të PD-së Rajmonda Bulku. “Ferrar” sh.p.k ka depozituar dje dy padi, ku njëra (penalja) është dorëzuar në sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që tjetra (Civilja) është protokolluar në sekretarinë e gjykatës së Tiranës. Sipas akt-padisë civile kompania i kërkon deputetes Felaj 20 milionë lekë të vjetra për shkak të dëmit moral të shkaktuar. Në dy paditë e përpiluara nga administratori Arjan Çukaj thuhet se deklarata e deputetes Ermonela Felaj merr në mbrojtje një subjekt që nuk ka nevojë për mbrojtje dhe aq më shumë nuk ka pasur asnjëherë nevojë për mbrojtje politike. Bëhet fjalë për kompani italiane “Radici Energie” që sipas deputetes është skualifkuar nga ministri Ruli me sebepin e mospërmbushjes së kushteve teknike. “Nuk e dimë se me çfarë provash deputetja Ermonela Felaj e provon të ashtuquajturin “sebep” sipas saj, kur METE disponon të gjitha aktet dhe faktet që kjo shoqëri nuk i ka përmbushur kushtet teknike”,-thuhet në padinë e dorëzuar në gjykatë. Më tej në padi citohen fjalët e deputetes, e cila sqaron se është bërë një garë e dytë ku është futur në lojë “Ferrar” sh.p.k. Kjo kompani sqaron se nuk ekziston një garë e dytë dhe aq më tepër nuk ka ekzistuar një garë midis shoqërive “Ferrar” sh.p.k dhe “Radici Energie”. Kjo e fundit ka konkurruar me shoqërinë “B.A.C” sh.p.k dhe që të dyja janë shpallur fituese nga METE dhe me kushte me favorizuese se “Ferrar” sh.p.k. Çukaj shprehet se për të hedhur dritë mbi këtë fakt mjafton të matësh kohën në të cilën i janë miratuar projektet, si dhe të shohësh bonusin që ato kanë 8 me 5 pikë që ka marrë kompania “Ferrar” sh.p.k. Sipas Çukajt, nga kjo situatë arrin në konkluzionin se thëniet e Felaj janë të pavërteta, e cila s’mund të bëjë karrierë duke e përbaltur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›