E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Rama, në mesjavë nisen në Bruksel

Takimi Mbërrin në selitë përkatëse drafti i gatshëm që do të diskutohet

Apeli i diplomacisë europiane për krizën shqiptare paralajmëron zgjidhjen e shpejtë dhe të detyruar të saj. Deklaratat e emetuara nga takimi i djeshëm në Luksemburg janë vetëm një pjesë e dukshme e mekanizmit që është vënë në lëvizje, me synim dhënien fund të situatës absurde ku vijon të mbahet vendi prej muajsh. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën “Shqip”, se brenda javës, mundësisht rreth së mërkurës ose së enjtes, dy përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, do të udhëtojnë në Bruksel për të arritur atë marrëveshje të pamundur deri më tani, përmes negociatave apo dialogut të zhvilluar në Tiranë. Ndërmjetësimi i huaj është rishfaqur kështu si e vetmja rrugë për kompromis, i cili vërtitet ende në debatet teknike të propozimeve respektive. Edhe për këtë çështje, duket se është menduar nga zyrtarët e BE, pasi sikurse bëhet e ditur, takimi mes Berishës dhe Ramës do të ketë si bazë diskutimi një draft final të përpunuar nga ekspertët europianë dhe që ka mbërritur dje në Tiranë në rrugë elektronike. Ky komunikim ka zëvendësuar praninë e ekspertit europian në Shqipëri, që pritej zyrtarisht të mbërrinte dje. Pra, drejtuesit politikë shqiptarë janë vënë në dijeni të dokumentit që, sipas gjasave, i afrohet shumë të ashtuquajturit drafti i ambasadorit Bosch. Një hapje të kutive të materialeve dhe një kërkesë vlerësimi nga Komisioni i Venecias për fletët e votimit që “ngrihen” në pritje të gjykimit final. Kjo gjë mund të merret me mend nëse sillen në kujtesë deklarimet e fundit të Edi Ramës, i cili përveçse pranoi kushtin e pjesëmarrjes së plotë në jetën institucionale, bëri të ditur publikisht se “PS ka bërë tërheqjen e vet”. Ajo çfarë pritet pra të shihet në këtë takim të mundshëm mes dy drejtuesve kryesorë në Tiranë është qëndrimi i Kryeministrit Berisha, i cili do të duhet që të firmosë një dokument i cili relativizon gjithsesi tërësinë e argumenteve juridike që përbëjnë mbrojtjen e tij të deritanishme. Ajo që e bën situatën disi të sikletshme për kreun e qeverisë është fakti se në një takim të nivelit të lartë të Bashkimit Europian, Shqipëria trajtohet veçanërisht për shkak të një krize politike, për të cilën bëhet thirrje për zgjidhje të menjëhershme. Përgjegjësia e detyrës institucionale, për një situatë që tanimë është ndërkombëtarizuar, e bën të pavlefshëm qëndrimin e mëtejshëm të shumicës, e cila pavarësisht arsyetimit dhe argumentit është përpara një problemi të madh politik me opozitën dhe kërkesat e saj. Transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, si një pretendim 1-vjeçar i PS, është kthyer aktualisht në axhendë krize për Shqipërinë dhe për zgjidhjen e së cilës komuniteti europian ka vendosur të mos penalizojë më qytetarët, por të diktojë vullnetin e vet ndaj klasës politike që riciklon në vijimësi probleme të njëjta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›