E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentja shqiptare dhe i dashuri gjenden të masakruar

26/01/2012  Vajza 16 vjeçe ishte zhdukur prej 1 muaji. Gjyshi: Zihej shpesh me të atin

GREQI- Pa mëshirë ishin masakruar dy adoleshentë në Lagada të Greqisë, kur u gjetën të dekompozuar nga banorët. Vajza ishte shqiptare, Kristiana Miçani, 16 vjeçe, nga fshati Drenovë i Korçës, ndërsa djali ishte grek, 15 vjeç, nga një fshat i Ksanthit në Greqi. Familjet e tyre jetonin pranë në një lagje të Selanikut, kurse shqiptarja jetonte vetëm me të atin dhe motrën e saj. Dy të rinjtë ishin raportuar të zhdukur rreth një muaj më parë nga familjarët e tyre. Adoleshentët prej disa kohësh kishin miqësi të fortë dhe shoqëroheshin shumë me njëri-tjetrin. Kohët e fundit kishin vendosur të jetonin bashkë, por sipas medieve greke, lidhja e tyre kishte shkaktuar reagime tek familjet. Trupat e të rinjve, i zbuloi një banor i zonës, në një pyll pranë një lumi. Pasi pa pamjen e frikshme, ai njoftoi policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe kreu hetimet e rastit. Policia arriti të njohë kufomat nëpërmjet testit të ADN-së, sepse ishin plotësisht të dekompozuara. Pas hetimeve, është zbuluar se dy të rinjtë kanë vdekur të goditur egërsisht. Mjeku ligjor konstatoi se adoleshentët ishin goditur në kokë dhe gjoks me një mjet të fortë, ndoshta me sëpatë. Sipas të dhënave, vrasja mund të ketë ndodhur edhe diku tjetër dhe trupat janë hedhur aty për të mos u gjetur. Policia po kërkon vrasësit dhe po përpiqet të zbulojë motivet e këtij krimi të dyfishtë

Dëshmia e gjyshit

Hekuran Halili, tregon se Kristiana jetonte me të atin dhe motrën në Greqi, pas divorcit të prindërve të saj. Ai rrëfen gjithashtu se 16-vjeçarja ishte larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, pasi nuk kishte marrëdhënie të mira me babanë e saj, me të cilin grindej shpesh, kryesisht për arsye ekonomike. Ai ishte në dijeni, që mbesa e tij kishte lidhje dashurie me një djalë shqiptar në Greqi, por theksoi se nuk e di nëse bëhet fjalë për 15-vjeçarin që u gjet i pajetë bashkë me të. Hekuran Halili përjashtoi çdo mundësi, që ngjarja të ketë lidhje me të atin e vajzës, pasi ai nuk kishte konflikte me asnjeri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›