E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton planin 2-vjeçar për furnizimin me ujë

Kryeministri Berisha prezantoi dje planin 2-vjeçar, 2007-2009, të reformës në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve pas transferimit të shoqërive tek pushteti vendor. Në dhjetor të vitit 2007, të gjitha shoqëritë ujësjellës-kanalizime, me borxhe të eliminuara, u transferuan pranë pushteteve vendore. Kryeministri Berisha tha se reforma e ujit dhe kanalizimeve, e cila ndërmerret për herë të parë në Shqipëri zhvillohet në përputhje të plotë me programin e qeverisë, standardet dhe zotimin e kësaj qeverie për decentralizimin dhe thellimin e këtij procesi në përputhje me detyrimet e saj së MSA-së dhe progresit drejt BE-së. “Në dhjetor të vitit 2007 të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve me borxhe, pasi u zeruan të gjitha borxhet e tyre, u transferuan në pronësi të pushteteve vendore. Ky proces që priste vite të kompletohej ishte i domosdoshëm dhe qeveria u angazhua tërësisht që të mos mbetet në letër, por të zbatohej me shpejtësinë më të madhe të mundshme”, - tha Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar qeverinë vendore në procesin e domosdoshëm të komercializimit të këtij sektori si një kusht vendimtar për vetëfinancimin e këtyre shoqërive për përmirësimin e treguesve të punës së tyre për furnizimin e vazhdueshëm me ujë të qytetarëve shqiptarë. Në fjalën e tij Kryeministri tha se në vitin 2008 investimet kapitale në fushën e ujësjellës-kanalizimeve janë më të larta se asnjë vit tjetër më parë. Ato kapin vlerën 7.5 miliardë lekë, nga të cilat 3.3 miliardë janë nga buxheti i shtetit dhe 4.2 miliardë janë nga donacionet. Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se brenda vitit 2010 do të përfundojnë impiantet e përpunimit të ujërave të zeza për rreth 1.6 milion banorë ose gjysmën e popullsisë në vend. Kjo reformë do të drejtohet nga z. Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe me Drejtorinë e Koordinimit të Strategjive, ka ndërmarrë iniciativën për të rishikuar Strategjinë Kombëtare të Furnizimit me ujë dhe Kanalizimeve, të aprovuar me VKM Nr. 706, datë 16.10.2003. Strategjia e rishikuar nënvizon reformat e politikave sektoriale në planin afatshkurtër 2010, afatmesëm deri në vitin 2015 dhe afatgjatë deri në vitin 2020. Strategjia është konsultuar me Grupet Këshillimore, donatorët, Komitetin e Planifikimit të Strategjive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›