E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akordohen 1600 bursa për nxënësit e këtij viti

07/10/2009  Arsimi i mesëm dhe ai profesional

Përcaktohet skema e shpërndarjes së bursave për 2009-2010 në të gjitha rrethet e vendit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit kanë publikuar gjatë ditës së djeshme dhe shpërndarjen e bursave për të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm e atij profesional në vend. Në këtë kuadër, këtë vit do të akordohen bursa të plota për të gjithë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale në degë prioritare, si bujqësi, veterinari, ndërtim e pyje. Gjithashtu qeveria do të mbulojë me bursë të gjithë nxënësit e vitit të parë që vazhdojnë mësimin e shkollave profesionale dhe vijnë nga 16 rrethet verilindore dhe juglindore, si: Tropojë, Has, Pukë, Pukës, Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet Skrapar, Tepelenë, Tirana, Rreth, Malësia e Madhe”. Sipas Ministrisë së Arsimit, arsimi profesional përbën një nga prioritetet e mandatit të dytë të qeverisë Berisha. Në programin e kësaj qeverie është vënë si objektiv: “Zgjerimi i pjesëmarrjes së nxënësve; trefishimi i numrit të nxënësve nga zona verilindore dhe juglindore në arsimin e mesëm, me përparësi në atë profesional; përshtatja në vazhdimësi e strukturës së arsimit të mesëm profesional me kërkesat e tregut. Dhe e gjithë kjo do të shoqërohet me një reformë institucionale, që do të mundësojë në planin afatgjatë krijimin e një sistemi modern dhe efiçent të arsimit e formimit profesional.” Gjatë mandatit të dytë drejtimet kryesore për realizimin e objektivave programore të qeverisë do të jenë ndër të tjera: “Thellimi i reformës kurrikulare, sigurimi i infrastrukturës moderne për të mundësuar lidhjen e mësimdhënies teorike me formimin praktik të nxënësve, shtrirjen e këtij sistemi në të gjithë vendin, kualifikimin e mësuesve, si dhe ofrimin e një pakete nxitëse”.

“Cilësi dhe barazi në arsim”

Korniza e politikës mbi risistemimin e godinave shkollore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore ka përgatitur dhe finalizuar dokumentin e kornizës së politikës për risistemimin e investimeve në ngritjen dhe shpërndarjen e godinave të reja shkollore në të gjithë vendin. Qëllimi i kornizës aktuale të politikës për risistemim është qartësimi i procedurave të marrjes së tokës dhe i parimeve të risistemimit së bashku me procedurat organizative në kuadrin e projektit “Cilësi dhe barazi në arsim në Shqipëri”. Në lidhje me këtë të fundit është pohuar se sfera e ndikimit të nënprojekteve nuk mund të përcaktohet pa finalizuar paraprakisht vendndodhja e sheshit të ndërtimit dhe projektet e ndërtimit të shkollave të reja të përfshira në të gjithë planet e punimeve. Objektivi i këtij plani është përmirësimi i kushteve të mësimdhënies për të gjithë nxënësit si dhe rritja e nivelit të regjistrimit në arsimin e mesëm të përgjithshëm, veçanërisht për shtresat e varfra. Fushat kryesore të projektit janë: forcimi i drejtimit, menaxhimit dhe qeverisjes së sistemit arsimor, përmirësimi i kushteve të mësimdhënies, racionalizimi i infrastrukturës arsimore, veçanërisht në arsimin e mesëm, si dhe hedhja e bazave për reformimin e arsimit të lartë.

Kreditet

Sipas planifikimeve të bëra nga specialistët e fushës, tashmë është parashikuar që në bazë të ciklit 3 deri në 5-vjeçar mjekët tanë do t’u nënshtrohen rikualifikimeve profesionale, programe në të cilat mjeku duhet të përmbushë dhe arrijë kreditet (pikë) në formimin shkencor, etik dhe moral. Këto të fundit do të shërbejnë për dhënien e licencës së profesionit. Kreu i Urdhrit të Mjekut pak kohë më parë ka deklaruar në lidhje me këtë rregullore se vetëm pasi t’u jenë nënshtruar dhe të kenë përmbushur detyrimet në përputhje me programet për rikualifikim (sikurse ndodh në të gjithë vendet e botës), atëherë mjekëve do t’u jepet e drejta për ushtrimin e profesionit në specialitetin përkatës.

Penalizimet

Janë parashikuar dhe ndëshkime të forta në rast të mangësive që do shfaqen në provim. “Mjekëve që do të shfaqin mangësi të theksuara në formimin e tyre të përgjithshëm do t’u ndërpritet përgjithmonë e drejta për të ushtruar profesionin”, - është pohuar nga specialistët e fushës. Sipas tyre, bluzat e bardha në vend nuk do të ushtrojnë më profesionin e tyre deri në pafundësi, nëse nuk përmbushin detyrimet e kërkuara për kualifikim të vazhdueshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›