E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Qeveria, kujdes me borxhin dhe shpenzimet

Interesat e bonove të thesarit, kanë arritur nivele historike, duke rritur koston e borxhit të qeverisë


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, bën thirrje për shpenzime buxhetore të matura, për të shmangur të papriturat
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka kërkuar sërish dje nga qeveria, të jetë e kujdesshme me shpenzimet dhe me borxhin publik.

Në raportimin vjetor të punës së Bankës së Shqipërisë në komisionin parlamentar të ekonomisë, ai tha se të gjithë autoritetet duhet të kenë kujdes nga sinjalet e forta që vijnë nga llogaria korente, pasi lëvizja e saj mund të sjellë lëvizje të padëshiruara në kursin e këmbimit dhe inflacionit.
"Ne nuk shohim pozitive asnjë lëvizje në rritjen e borxhit.

Duhet të bëjmë kujdes me shpenzimet, nuk mund të ketë asnjë lloj neglizhence, por duhet të jemi të kujdesshëm për sa i përket mbajtjes së borxhit dhe deficitit.

Ne i kemi thënë qeverisë, nëse do para, dil në treg, në treg do të rrisësh çmimin. Dhe është mirë të rritet, për të kuptuar që qeveria del në treg me një çmim të caktuar. Do kërkosh më shumë, do e marrësh me një çmim më të lartë",- tha guvernatori.

Sipas raportit vjetor, borxhi publik për vitin 2008 arriti në 55.6% të PBB-së, nga 52.2% që ishte një vit më parë. Në tregun e brendshëm, interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12 muaj, kanë arritur nivele historike. Në ankandet e fundit, interesi mesatar i ponderuar ka arritur në 9.13%.

Vetëm për këtë vit, interesat e borxhit që duhet të paguajë qeveria, i kalojnë rreth 3% të PBB-së. Qeveria, përveç borxhit që merr në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët, parashikon të kontraktojë në muajin maj një kredi tregtare prej 250 milionë eurosh.

Dy ditë më parë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë kërkoi maturi në shpenzimin e fondeve publike, për të ruajtur brenda objektivit nivelin e deficitit buxhetor, i cili vitin e kaluar arriti në 5.7% të PBB-së. Fullani e konsideroi si të domosdoshëm rialokimin e këtyre shpenzimeve, sipas rëndësisë së tyre, në masën e nevojshme dhe përgjatë vitit financiar.

Guvernatori kërkoi shtyrjen në kohë të shpenzimeve, që konsiderohen si jo urgjente. Edhe zyrtarë të FMN-së kërkuan kujdes nga qeveria në shpenzimet e buxhetit.

Madje, shefi i Misionit të FMN-së shprehu rezervat e tij mbi rritjen e pagave dhe pensioneve të planifikuara për muajin e ardhshëm, pasi do të jepte efekt në bilancin e pagesave.


Kreditë


Duke folur për kreditë, guvernatori tha se gjatë vitit 2008, kredia në valutë ka fituar terren ndaj asaj në monedhë vendase, duke u ndikuar nga normat e ulta të interesit, që bankat tregtare ofrojnë për këtë kategori. Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kjo qasje ndaj kredisë në valutë do të ishte e saktë në kushtet e një kursi këmbimi të qëndrueshëm.

"Ky konstatim do të ishte i saktë në prani të një kursi këmbimi të qëndrueshëm, ndërsa ai është i gabuar në kushtet e Shqipërisë, ku kursi i këmbimit është i paqëndrueshëm dhe mundësia e lëvizjeve nënçmuese të tij nuk mund dhe nuk duhet të përjashtohet.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë konstaton se klientët e bankave tregtare vazhdojnë të mos marrin parasysh sa duhet rrezikun e kursit të këmbimit, kur zgjedhin të marrin një kredi në valutë", -tha dje Fullani.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›