Aksident në rrugën Korçë- Voskopojë, plagosen 2 të rinj
>Moti i keq dhe ngricat kanë regjistruar një aksident rrugor me dy të plagosur. Dy të rinj janë bërë protagonistët e kësaj përgjakjeje rrugore që çon në pesë numrin e të plagosurve për këtë muaj nga aksidentet automobilistikë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së kaluar në aksin nacional Korçë-Voskopojë në vendin e quajtur Ura e Turanit.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se Denis Sula, 24 vjeç, ishte duke drejtuar mjetin e tij tip benz, duke shkuar nga Korça në drejtim të fshatit Voskop ku dhe banonin dy protagonistët e ngjarjes, ndërsa ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal disa metra larg. Ngrica gjatë orëve të natës në këtë aks rrugor si dhe shpejtësia tej normave të lejuara e mjetit me targë KO1068 B dyshohet të jenë shkaktarë të këtij aksidenti të rëndë, ku drejtuesi i mjetit ka përfunduar në koma në spitalin e juglindjes, ndërsa në gjendje kritike është dhe një tjetër udhëtar që gjendej në bordin e makinës. Kështu Denis Sula është plagosur rëndë duke marrë dëmtime të shumta trupore. Si pasojë e këtij aksidenti është plagosur dhe shtetasi Arbër Basholli, 23 vjeç, edhe ky banor i fshatiti Voskopo ashtu si drejtuesi i mjetit Sula, i cili ishte ulur në vendin e parë të mjetit. Policia ka nisur hetimet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa i plagosuri kryesor që gjendet në koma në spitalin e Korçës ndodhet gjithashtu në gjendje arresti.