Rokada, Koçi u emërua në SHBA, por më pas u zëvendësua nga Galanxhi
Emërimi i ambasadorëve shqiptarë në SHBA të paktën nën qeverinë “Berisha” ka krijuar një “traditë” që nga politika nuk ka marrë një zbardhje zyrtare. Situata e krijuar para disa vjetësh me propozimin e Edith Harxhit dhe zëvendësimin e saj me Aleksandër Sallabandën si pasojë e refuzimit të ish-presidentit Alfred Moisiu duket të jetë përsëritur sërish. Dalja në skenë e emrit të Spiro Koçit për ambasador në Uashington ka provokuar riprodhimin e të njëjtës situatë edhe pse motivet ende mbeten të paqarta. I sjellë në Komisionin Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë nga Ministria e Jashtme, ish-ambasadori shqiptar në Beograd, është dëgjuar dhe miratuar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Madje, sipas informacioneve, kandidimi i tij për në SHBA ka gjetur mbështetjen edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Por ka qenë sërish dikasteri i Ilir Metës ai që ka tërhequr emrin në fjalë për të propozuar në vend të tij, ambasadorin e Shqipërisë në OSBE, Gilbert Galanxhi, në vend të të cilit është sugjeruar sërish Spiro Koçi. Sipas një letre që ministri Ilir Meta i ka dorëzuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në datën 2 korrik 2010, diplomati Galanxhi është propozuar për ambasador fuqiplotë jo rezident edhe në Meksikë, Panama dhe Republikën Domenikane. E gjithë kjo situatë që rrethon përfaqësimin diplomatik shqiptar në SHBA ka krijuar probleme edhe në Komisionin Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë. Përfaqësues të opozitës socialiste madje kanë paralajmëruar informimin zyrtar të Presidentit të Republikës, i cili edhe sot ende nuk ka dhënë dritën jeshile për kalimin e dyshes në fjalë. Duhet thënë se në ndryshim nga Sallabanda, të dy kandidatët në fjalë janë diplomatë karriere me detyra të rëndësishme në misionet e mëparshme. Për sa i përket Koçit duhet nënvizuar një element me rëndësi politike. Ai është ndër të tjera edhe një emër i sugjeruar për President gjatë negociatave të zhvilluara në vitin 2007, nga të cilat në finale rezultoi fitues Bamir Topi. Kjo e dhënë në CV e tij politike ka rëndësinë e vet në këtë drejtim, edhe pse duhet thënë se në përgjithësi qëndrimet e politikës shqiptare ndaj tij kanë qenë miratuese dhe pozitive. Për sa kohë që politika dhe institucionet shqiptare nuk japin asnjë të dhënë zyrtare për shkakun e rrëzimit të tij, atëherë është e pranueshme të nxirret një konkluzion nga dinamika e ngjarjeve, por edhe sfondi politik që ka bërë sugjerimin.
#