Aksidentet në 24 orë, dy të vdekur dhe 16 të plagosur
Bilanc “ferri”
Bilanc tragjik nga aksidentet rrugore ka sjellë edhe dita e djeshme. Në 24 orë, në vendin tonë janë shënuar dhjetë aksidente, duke sjellë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve. Aksidente me vdekje kanë ndodhur në Shkodër dhe në Durrës, ndërsa në Kavajë janë aksidentuar katër persona të një familjeje, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë. Sipas policisë, pak pas mesnate, në Shkodër një mjet ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal dhe për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit, ndërkohë që është plagosur një pasagjer. Ndërsa në Durrës, viktima është një këmbësor, i cili është përplasur nga një mjet, i cili sapo kishte dalë për punë. Burimet policore thanë se veç dy rasteve të lartpërmendur, një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në Kavajë. Kështu, dy mjete janë përplasur në orët e pasdites tek “Ura e Drazhit”, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur katër anëtarë të një familjeje, mes tyre edhe një fëmijë 9 vjeç. Po në Kavajë, që në orët e para të mëngjesit, te kryqëzimi i Synejit është aksidentuar rëndë një këmbësor, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e ngjarjes. Ndërsa në Tiranë janë shënuar katër aksidente të tjera. Një prej tyre nuk ka sjellë të dëmtuar, pasi është, veçse ka rrëzuar disa shtylla tensioni, ndërsa nga tre të tjerat janë plagosur katër persona. Gjithashtu, një përplasje mes tre mjeteve në qytetin e Fierit ka sjellë plagosjen e tre personave. Gjithashtu, tre të plagosur janë shënuar mesditën e djeshme në Laç, pasi një makinë është përplasur me trenin. Policia tha se ata janë dërguar për mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave zyrtare, për të gjitha rastet janë marrë masat e nevojshme dhe shkaktarët janë dërguar për ndjekje penale.
#