MASH lejon regjistrimin me certifikata, sulmon Universitetin e Vlorës
Problemet e shfaqura gjatë procesit të regjistrimit të maturantëve fitues në universitete ka tentuar t’i rregullojë dje Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, me anë të një udhëzimi të ri. Ky udhëzim, përveçse ka shtuar afatin e regjistrimit deri në datën 20, ka lejuar regjistrimin me certifikata, për të gjithë ata që nuk kanë karta identiteti ose pasaporta. Ndërkohë, në këtë udhëzim ministria ka nënvizuar me forcë se të gjithë ata që janë shpallur fitues, kanë të drejtë të regjistrohen, duke i bërë të qartë Universitetit të Vlorës se nuk ka të drejtë të ndalojë regjistrimin e fituesve, duke shtuar kritere në minutat e fundit.
Problemi i Vlorës
Me anë të një deklarate për shtyp, ministria ka theksuar qartazi se vendimi i Universitetit të Vlorës për të mos pranuar studentë që kanë përfunduar arsimin e mesëm me mesatare nën 6, është i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm. Duke e nënvizuar këtë pjesë, njoftimi thekson se “regjistrimi i studentëve nëpër të gjitha universitetet do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL”.
Ndërkohë që asnjë universitet nuk ka të drejtë të veprojë sipas rregullave të veta, të vendosura në çastin e fundit dhe pa marrë mendimin e ministrisë. “Asnjë IAL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista. Kjo listë është e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. IAL-të të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara”, – thekson ministria.
Certifikatat
Një problem tjetër i hasur gjatë ditëve të fundit duket se ka marrë fund, pasi tashmë Ministria e Arsimit ka lejuar të gjithë fituesit që nuk kanë pasaporta apo letërnjoftime, të regjistrohen në universitete me certifikata.
“Për regjistrimin paraprak përveç dokumenteve të tjera të bëra të njohura tashmë, kandidatët që nuk kanë letërnjoftim ID ose pasaportë mund të paraqesin si dokument identifikimi edhe certifikatë lindjeje me fotografi”, – shkruhet në njoftimin për shtyp të ministrisë.
Problemi që kishin hasur shumë maturantë fitues gjatë ditëve të fundit, kishte të bënte me udhëzimin e mëparshëm që përcaktonte vetëm letërnjoftimet dhe pasaportat si dokumente identifikimi. Porse duke qenë se një pjesë e maturantëve nuk i kanë këto mjete identifikimi, ministria ndryshoi udhëzimin.
Regjistrimet, deri më 20 shtator
Për këto të dyja probleme që duket se kanë marrë rrugën e zgjidhjes, udhëzimi i ministrisë ka lënë edhe dy ditë afat për regjistrimin e studentëve. “MASH njofton të gjithë fituesit e universiteteve publike se do të kenë afat edhe 2 ditë të tjera për t’u regjistruar në fakultetet ku ata janë shpallur paraprakisht fitues”, – deklaroi zyra e shtypit e ministrisë.
Sipas udhëzimit të MASH-it, të gjitha universitetet do të regjistrojnë fituesit deri në datat 19 dhe 20 shtator 2009 prej orës 08:00 deri në orën 18:00, orë në të cilën përfundon afati zyrtar i regjistrimit.
Ministria deklaron se “kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit”.
Durrës
Bashkia nis sezonin e gjelbërimit
“Një jetë - një pemë”, nisma e bashkisë e nisur 2 vjet të shkuara, është shfaqur sërish ditën e djeshme, kur në një lulishte publike u mbollën një numër palmash dekorative. Dje paradite, “Qendra Shqiptare Për Shëndetin Publik” në bashkëpunim me bashkinë e qytetit mbollën 14 palma në gjendje të rritur në lulishten që ndodhet përballë stacionit hekurudhor. Ato janë pjesë e projektit “Sector”, që mbështetet nga shoqata suedeze SIDA. Në procesin e fillimit të punës për mbjelljen e tyre mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ai tha se “puna për gjelbërimin e qytetit do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit tonë. Një qytet i gjelbëruar është vizioni evropian i zhvillimit turistik”.
“Për çdo vit, në Durrës janë mbjellë 1200 pemë dekorative”, - ka theksuar Dako në fjalën e tij. Pjesë e gjelbërimit të Durrësit janë bërë edhe biznesmenë të qytetit të cilët në kuadrin e nismës “Një jetë - një pemë” kanë mbjellë pemë dhe bimë dekorative në zona të ndryshme të tij.
Taksistët: Bashkia e Tiranës mbështet “taksitë” e palicencuara
Protestë në qendër të Tiranës për taksitë e palicencuara
Protestuesit apelojnë: Bashkia të ndërhyjë
Klevisa Deçja
Makina me ngjyrë të verdhë, që mbajnë sipër një tabelë me mbishkrimin “Taksi” vazhdojnë të enden rrugëve të kryeqytetit, duke vjedhur klientelën e taksive të ligjshme. Për shumëkënd këto taksi janë më se të rregullta, për shkak të ngjyrës dhe mbishkrimit që mbajnë, por në të vërtetë ka një detaj që i dallon, targa e bardhë. Detaji që i përjashton nga të qenit i licencuar. Këto nuk janë të vetmet mjete që kryejnë këtë lloj shërbimi në mënyrë të paligjshme në kryeqytet; ka edhe vetura të cilat ngjajnë si ato të zakonshmet, por që shërbejnë si taksi.
Ishte ky motivi që me dhjetëra taksistë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet për të protestuar kundër mjeteve të paligjshme që përdorin këtë shërbim. Për disa orë me radhë ata kanë qëndruar nën shi, si shenjë proteste kundër “taksive” që punojnë në mënyrë të paligjshme, konkurrencë kjo që po i shpie ata drejt falimentimit. “Është e pandershme që ne t’i paguajmë të gjitha që nga licenca, sigurimet shoqërore, ndërsa ata nuk paguajnë asgjë dhe vazhdojnë punën të qetë, pasi bashkia vazhdon t’i lërë të punojnë”, – thotë Adem Kasa, njëri prej protestuesve.
Sipas tyre, Bashkia e Tiranës nuk i ka dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi, i cili është i pranishëm dhe shqetësues prej disa vitesh. Policia Bashkiake apo ajo Tatimore nuk kanë marrë asnjë masë për të parandaluar këtë fenomen, i cili sa po vjen e po rritet. Në kryeqytet qarkullojnë mbi 1 mijë mjete të palicencuara, ndërsa taksi të licencuara janë vetëm 450. Makinat e licencuara paguajnë 1milion e 600 mijë lekë të vjetra për të ushtuar këtë aktivitet, shumë kjo e cila rëndon xhepat e tyre.
“Mund t’i shikosh kudo këta që përdorin shërbimin e taksisë, edhe policia i shikon çdo ditë dhe nuk bën asgjë, as gjoba nuk u vendos”, - thotë zoti Kasa, i cili ka shtatë vjet që punon si taksist e licencuar. Një tjetër shofer taksie shprehet: “Jemi ankuar disa herë tek bashkia dhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje se ç’do të bëhet me këtë problem”. Kjo nuk është e vetmja herë që përdoruesit e ligjshëm të këtij shërbimi mblidhen për të protestuar, por si gjithmonë, nuk ka dalë asnjë rezultat pozitiv. Mjetet të cilat qarkullojnë lirisht nëpër rrugë, mund t’i gjesh ngado nëpër rrugët e Tiranës, por vendet ku ata qëndrojnë më shumë, janë në spitalin “Nënë Tereza”, Spitalin Ushtarak, në kryqëzimin e 21 Dhjetorit dhe shumë pika të tjera kryesore. Një tjetër arsye që japin taksistët se pse nuk bllokohen “taksitë” e palicencuara, është se gjysma e atyre janë ish-policë, që kanë lënë detyrën apo edhe policë që janë ende në detyrë.
Gjithashtu, sipas tyre, “policët gjatë kohës që punojnë si shoferë të “taksive” përdorin edhe pistoletën e shërbimit si dhe shkopin e gomës”, çka është e ndaluar me ligj që mjetet e shërbimit të përdoren për qëllime të tjera. Me dhjetëra taksi të tjera kanë vazhduar punën, duke mos i përkrahur kolegët e tyre, për shkak se janë zhgënjyer nga rezultatet e herëve të fundit, por edhe që të mos humbitnin ditën e punës. “Shumë kolegë tanë nuk kanë ardhur, sepse e dinë që asgjë e mirë nuk do të dalë nga kjo protestë”, - thotë taksisti.