E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva nuk e pengon ëndrrën e shqiptarëve

Topalli

Asnjë grevë urie nuk mund ta prishë ëndrrën e shqiptarëve për liberalizimin e vizave. Kjo ishte deklarata që bëri dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur interesit të mediave për grevën e urisë së deputetëve socialistë dhe simpatizantëve të tjerë të PS-së. “Unë besoj se 22 veta apo 220 veta nuk mund ta prishin kurrë ëndrrën e liberalizimit të vizave”, deklaroi Topalli. Nisur nga kjo, Kryetarja e Parlamentit shprehu mirënjohjen për 12 ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët më 30 prill u dërguan një letër autoriteteve më të larta që kanë në dorë vendimin për liberalizimin e vizave. “Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, autoritetet kryesore, shohin se shqiptarët janë të vendosur për të ecur përpara në proceset për liberalizimin e vizave dhe për këtë natyrisht është e rëndësishme që dialogu të bëhet në Parlament”, theksoi kryeparlamentarja. Sipas Topallit, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka interes për dialog dhe se kjo ishte e trishtueshme. Nga ana tjetër, Topalli theksoi se incidenti me djegien e flamurit të NATO-s, ishte i paprecedentë. Por, sipas saj, pavarësisht se ishin disa militantë të Edvin Ramës që e dogjën këtë flamur, kjo nuk ka lidhje me shqiptarët, që janë njerëzit më pro NATO dhe më pro europianë në të gjithë rajonin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›