E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Greva, veprim i dëshpëruar i Ramës

Presidenti Topi: Respektoj gjithçka që u përmbahet veprimeve demokratike

Kryeministri Sali Berisha nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij për të mos hapur kutitë e votimit, pavarësisht faktit se një numër i konsiderueshëm deputetësh të Partisë Socialiste ndodhen në grevë urie. Sakaq, kreu i shtetit, Bamir Topi, theksoi se “unë do të pozicionohem parimisht si kryetar i shtetit, do ta respektoja gjithçka që u përmbahet parimeve demokratike”. Ky, sipas tij, është një term disi i përgjithshëm, por secili duhet ta gjejë veten këtu, te kjo shprehje. “Pra, gjithçka që është demokratike duhet të aspirohet dhe duhet të aplikohet. Uroj që gjithçka të shkojë në normalitet sipas rregullave demokratike që ne i kemi sanksionuar edhe me ligj!” - theksoi Topi. Sakaq, në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë foli dje pas tri ditësh për grevën, duke e quajtur një veprim të dëshpëruar të Edi Ramës për të përmbysur vendimet e gjykatave. “Shpreh keqardhjen për vendimin e dëshpëruar të zotit Rama. Por, duke thënë këto më duhet të nënvizoj se zoti Rama ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjete politike. Dhe kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë”, theksoi Berisha. Ndonëse nuk e mohoi ndjeshmërinë njerëzore që kishte kundrejt kësaj greve, Berisha u shpreh se ai nuk do të bënte asnjë kompromis kundrejt Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për asnjë lloj arsye. Për zgjidhjen e krizës së krijuar mes palëve, Kryeministri i riofroi dje Ramës dy opsione. “Opozita ka opsionin e rekomanduar zyrtarisht nga Këshilli i Europës, i cili i sugjeron zotit Rama që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ajo e gjykon të arsyeshme për të kërkuar mendimin e Komisionit të Venecias”, theksoi Berisha. Si një opsion të dytë, ai paraqiti pjesëmarrjen në komisionin hetimor parlamentar, ku PS-ja ka të drejtën e shumicës së anëtarëve. Sipas Berishës, përtej këtyre opsioneve ai nuk mund të dilte dhe se opozita ishte e lirë ta vijonte grevën e saj dhe çdo lloj forme tjetër proteste legjitime. Po kështu, Berisha theksoi se kjo grevë urie nuk mund ta ndalte rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe liberalizimit të vizave. “Kjo qeveri ka bërë të gjitha përpjekjet dhe dëshmi e këtyre përpjekjeve është raporti që Komisioni Europian ka lëshuar për Shqipërinë. Raporti ka një univers të tërë vendimesh, ligjesh, reformash, praktikash, që kanë pasur një kosto jo të vogël dhe që kjo qeveri i ka ndërmarrë me përparësi absolute për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, theksoi Berisha. Sipas tij, të gjitha institucionet ndërkombëtare janë në sintoni të plotë dhe nuk ka asnjë dallim në qëndrimet e tyre se respektimi i Kushtetutës dhe transparenca është zgjidhja për këtë situatë. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë, ndonëse theksoi se bllokimi i trafikut me ngritjen e çadrave në bulevardin kryesor të kryeqytetit ishte jolegjitim, ai do të mendonte me qetësinë e nevojshme se çfarë do të bëhej për zhbllokimin e situatës së rënduar të trafikut në kryeqytet. Po dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë ‘Berisha’ nuk ngurroi të tregonte për IPad-in e tij, si një provë se qeveria po shkonte drejt teknologjisë më të fundit. “Natën që shumë prej jush ndiqnin Interin me Barcelonën, unë ndiqja pasionin tim të vjetër. Mund ta lija, por po familjarizohesha. Mund t’u them se nuk kam pasur kurrë në dorë një gjë më të mrekullueshme, më njerëzore, më miqësore, më të sofistikuar se Ipad-i”, theksoi Berisha përpara deputetëve të grupit parlamentar të PD-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›