E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria progres në ekzekutimin e vendimeve

09/12/2009  STRASBURG - Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës vlerëson progresin e bërë Shqipëria në ekzekutimin e disa vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky institucion bëri publik vendimin për çështjen në fjalë, kryesisht për sa u takon vendimeve lidhur me kohëzgjatjen e procedurave civile dhe mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të brendshme (çështjet “Gjonboçari” dhe “Marini”. Qeveria shqiptare paraqiti reformat më të fundit të ndërmarra në këto fusha dhe Komiteti inkurajoi autoritetet të vazhdojnë përpjekjet e tyre. Megjithatë, Komiteti vërejti mungesën e vazhdueshme të mjeteve efektive për ata që ndihen viktima të procedurave gjyqësore tepër të gjata, por në pritje të ndryshimeve legjislative vërejti edhe zhvillimet interesante më të fundit të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Lidhur me situatat, kur Gjykata Kushtetuese nuk mund të japë drejtësi për shkak të një ndarjeje të barabartë të votave, qeveria informoi Komitetin se Gjykata Kushtetuese kishte marrë masa praktike për të evituar këto situata të veçanta. Për këtë çështje Komiteti i Ministrave inkurajoi vazhdimin e reflektimit nga ana e autoriteteve, sidomos mbi nevojën e ndryshimit të legjislacionit mbi Gjykatën Kushtetuese. Sipas nenit 46 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të gjitha shtetet palë angazhohen t’u binden vendimeve të Gjykatës Evropiane, ndërkohë që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mbikëqyr këtë detyrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›