Akuza të reja kundër presidentit të Gjermanisë

Revista informoi se kredinë prej gjysmë milioni euro për presidentin Wulff e ka ndërmjetësuar sipërmarrësi Egon Geerkens.
Në vitin 2008 Geerkens ka negociuar vetë me Wulffin, i cili në atë kohë ishte kryeministër në landin e Saksonisë së Poshtme. Pagesa e kredisë për shtëpinë e Wulffit është bërë përmes llogarisë së gruas së sipërmarrësit, Edith Geerkens, për të cilën sipërmarrësi kishte megjithatë një prokurë.
Deri tani presidenti, Wulff, ka mohuar të ketë pasur lidhje direkte biznesi me sipërmarrësin, edhe në një seancë pyetjesh në parlamentin e landit të Saksonisë së Poshtme në vitin 2010. Në kohën që mbante postin e kryeministrit, Wulff nuk e ka përmendur kredinë për shtëpinë, pasi atë e ishte marrë nga bashkëshortja e Geerkens.
Presidenti federal gjerman të enjten shprehu keqardhje që ka heshtur lidhur me modalitetet e kredisë private dhe pranoi gabimet në informacionet që pati dhënë në vitin 2010.