Sinjali i KE, replika PS-PD
Sinjalet politike nga komuniteti ndërkombëtar vijojnë të lexohen në mënyrë të njëanshme nga politika shqiptare. Kështu, mesazhet e komisionerit për zgjerim Stefan Fule lidhur me krizën në Shqipëri është përkthyer nga dy palët në konflikt sipas koniunkturës së brendshme, e cila kalon nga një tensionim gjithnjë e në rritje. “Objektivi i opozitës për të ridiskutuar produktin e këtyre zgjedhjeve, Parlamentin dhe qeverinë që ka dalë prej tyre, është një objektiv që pengon drejtpërdrejt procesin e integrimit”, deklaroi dje deputeti demokrat Fatos Beja. Ai ka ripërsëritur ritualin e propagandës zyrtare të shumicës në pushtet, sipas së cilës qëndrimet e opozitës pengojnë integrimin e vendit, për sa kohë e shohin këtë të fundit vetëm si pjesë të dështimit të tyre politik. Beja ka shtuar se deklarimet e fundit të Partisë Socialiste më shumë se një përpjekje për transparencë janë në vetvete një mënyrë për të errësuar arritjet e qeverisë dhe kursin e pakthyeshëm të hyrjes së shpejtë të Shqipërisë në gjirin e familjes europiane. Por krejtësisht i kundërt ka qenë qëndrimi i mbajtur nga socialisti Ditmir Bushati, i cili mesazhin e komisionerit për zgjerim në BE, Fule, e ka marrë si një argument më shumë në legjitimimin e kërkesës konstante të opozitës për hetimin e plotë të 28 qershorit. “PS-ja përshëndet inkurajimin që komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, i ka dhënë kërkesës sonë për transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, si një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike... Kjo kërkesë e jona nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, por vetëm garantimin e procesit të ardhshëm zgjedhor”, u shpreh Bushati. I mbërthyer në një pikë të pazgjidhshme interesi si hapja e kutive, debati mes PS-së dhe PD-së, pavarësisht drejtësisë dhe aspektit parimor, është reduktuar në retorikë. Kjo pasi është tashmë e qartë se kutitë e votimit janë një pikë e panegociueshme, pavarësisht se selia rozë po kujdeset për ta projektuar formalisht aksionin e vet drejt perspektivës së zgjedhjeve të ardhshme dhe jo gjykimit mbi 28 qershorin. Për këtë arsye është e pritshme që mesazhe të tilla të përgjithshme më shumë sesa të orientojnë zgjidhjen e krizës të shërbejnë më tepër për përdorim të debatit të brendshëm, i cili prej muajsh ka mbetur i mbërthyer në një pikë.
#