Bosch: Opozita të reflektojë thellë. Po dëmton demokracinë
Diplomati holandez, Robert Bosch, i cili drejton Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, nuk ka kursyer kritikat e forta ndaj politikës shqiptare, duke i përmendur me emra të veçantë si qeverinë ashtu edhe opozitën. Por në mënyrë të veçantë, ambasadori Bosch ka përdorur një fjali të drejtpërdrejtë dhe mjaft të hidhur ndaj opozitës, duke e akuzuar se po kontribuon “de fakto në dëmtimin e proceseve demokratike në Shqipëri”. Kreu i Prezencës së OSBE-së ka folur dje në një aktivitet të Konsorciumit Ndërkombëtar, i cili është një grupim i përbashkët i të gjithë organizmave që ndihmojnë për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Helmuth Lohan, ministri i Drejtësisë, Nishani, kryeprokurorja Ina Rama etj. Por protagonisti i këtij aktiviteti ka qenë pikërisht ambasadori Bosch, i cili prej më shumë se tre vitesh drejton Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
ReformatNë mënyrë të qartë dhe të hapur, diplomati holandez ka deklaruar se ka një ngadalësim të reformave të domosdoshme në vend. “Për më tepër, gjatë vitit të kaluar, shumë prej reformave të nevojshme në këtë sektor kanë ngecur. Mungesa e opozitës në Parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve, për të cilat kërkohet një shumicë votash prej tre të pestave”, ka deklaruar kreu i Prezencës së OSBE-së, duke kujtuar më pas “thembrën e Akilit” të Parlamentit shqiptar që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkon një shumicë të tillë votash, ashtu si edhe ligji i shumëpritur i gjykatave administrative”, theksoi ai.
OpozitaDuke iu drejtuar socialistëve shqiptarë, ambasadori Bosch ka lëshuar kritika ndaj tyre edhe për cilësinë e dobët të punimeve të legjislativit shqiptar. Sipas diplomatit holandez, pakica parlamentare ka përgjegjësinë e saj për të marrë pjesë në debat: “Mungesa e opozitës do të thotë gjithashtu që shumica e ligjeve po miratohen pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve”. Më pas, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë ka lëshuar fjalinë më të ashpër të deklaratës së tij ndaj socialistëve: “Po shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë de fakto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern”.
QeveriaMegjithatë, edhe pse ka qenë më i ashpër me opozitën, kreu i Prezencës së OSBE-së i ka kërkuar qeverisë të krijojnë kushtet e duhura që opozita të ndihet mirë në institucione. Dhe për këtë diplomati holandez nuk ka përdorur fjalë “diplomatike”, por shkoqur ka thënë se duhet lënë mënjanë propaganda. “Duhet bërë e mundur që ata të ndiejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur si me fjalë ashtu dhe me vepra. Do të doja që, po në këtë kuadër, t’i kërkoja qeverisë të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar që të gjitha ligjet të diskutohen nga të gjitha grupet e interesit para se të miratohen në Parlament. Megjithatë, është parë progres në lidhje me disa nga politikat”, deklaroi ambasadori Bosch.
GjykatatPor në apelin ndaj qeverisë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë ka kujtuar edhe institucionet e pavarura e në veçanti gjykatat, duke kërkuar që ata të mos mbushen nga përkrahës të mazhorancës: “Për sa i takon sistemit të gjykatave, integriteti i procesit gjyqësor vazhdon të mbetet një sfidë. Kohët e fundit ka pasur shumë debate në lidhje me postet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe që do të rezultojë në zëvendësimin e dy të tretave të gjykatës. Do t’u kujtoja të gjithëve rëndësinë e kujdesit që duhet treguar në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në këtë organ. Procesi duhet të jetë transparent. Gjyqtarët duhet të përzgjidhen bazuar në njohuritë ligjore që ata kanë, në aftësitë e tyre për arsyetim ligjor dhe mbi të gjitha, për integritetin e tyre. Të njëjtat kritere duhet të përdoren në marrjen e të gjitha vendimeve për ngritjen në detyrë të personave në sistemin gjyqësor, gjithashtu edhe për sa i takon Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të Apelit, në mënyrë që të ketë përmirësim të dukshëm në cilësinë e drejtësisë që ofrohet”.
#