E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Olldashit jep vetëm 8 licenca nga 30

Reduktimi i licencave dhe krijimi i njësie të posaçme “One Stop Shop”, për lejet dhe licencat minimizon numrin e tyre që jepen nga Ministria e Punëve Publike Transport dhe Telekomunikacionit. MPPTT-ja do të ketë të drejtën të japë vetëm 8 lloje licencash nga 30 që ka dhënë deri më tani. Kjo është bërë e ditur dje nga drejtori i Reformave Rregullatore pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ymer Shllaku, gjatë një konference për shtyp, i cili nënvizoi se ky hap ndërmerret në kuadër të vendimit të qeverisë të miratuar një javë më parë. "Në kuadër të zbatimit të vendimit të miratuar nga qeveria rreth një javë më parë për heqjen e rreth 103 licencave në të gjithë vendin, MPPTT-ja do të ketë të drejtën të japë vetëm 8 nga 30 licencat që jepte deri tani", - bëri me dije Shllaku. Sipas tij, tashmë nga MPPTT-ja do të jepen licenca për zbatim punësh publike dhe mbikëqyrje, kolaudim, transport ndërkombëtar udhëtarësh me autobus, shërbime në linjë të rregullt udhëtarësh me autobus, si dhe shërbime të rregullta të specializuara vajtje-ardhje ndërkombëtare udhëtarësh. “Nëpërmjet këtyre ndryshimeve qeveria shqiptare kërkon të harmonizojë të gjitha përpjekjet për një konkurrencë të lirë, të barabartë dhe të drejtë me synimin për t’i dhënë një impuls të ri, pozitiv zhvillimit të biznesit në vendin tonë. MPPTT-ja dhe Drejtoritë përkatëse të Politikave kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të bërë të gjitha përmirësimet e akteve ligjore dhe nënligjore si projektligje, VKM dhe udhëzime të ministrit, me qëllim rregullimin e paketës ligjore mbi bazën e këtyre ndryshimeve”, - tha Shllaku. Gjithashtu, e drejtë e MPPTT-së do të jetë edhe pajisja me licenca për operim në linja të rregullta ndërkombëtare detare për transport automjetesh dhe/ose udhëtarësh, pilotim dhe omerxhim, tërheqje e mbeturinave të ngurta dhe vajore në portet detare dhe radat përkatëse, si dhe survejor i mjeteve lundruese. Ndërkohë, në listën e rreth 22 licencave dhe lejeve që do të hiqen nga kompetencat e kësaj ministrie, ndër më kryesoret janë ato për laborator të provave materiale të ndërtimit, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, transportin e mallrave të rrezikshme, shërbimi postar etj. Në bazë të vendimit të qeverisë, të miratuar javën e kaluar, nga korriku i këtij viti licencat që jepen nga pushteti qendror do të reduktohen nga 160 në 62, ndërsa të tjerat do të sistemohen në "One Stop Shop". Referuar vendimit më të fundit të qeverisë, në të gjitha rastet, parim dhe praktikë bazë mbetet vetëdeklarimi. Agjencitë shtetërore dhe publike, si dhe ministritë do të kenë detyrimin e përcaktimit të kritereve të qarta dhe monitorimit të tyre, të tjerat i përcakton tregu. Këto 62 leje dhe licenca që mbeten, janë ato që s’mund të hiqen, janë minierat, ujërat dhe të tjera biznese, të cilat ruhen në çdo vend, ndërsa heqja e tyre është konsideruar si një përmirësim i sigurt i mëtejshëm i shërbimeve.

Nga 31 licenca, leje dhe autorizime që lëshoheshin nga MPPTT-ja, 15 prej tyre hiqen, 8 transferohen në organet e pushtetit vendor dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe vetëm 8 prej tyre do të vazhdojnë të jepen në ministri.

Shllaku tha se kjo reformë pritet të lehtësojë klimën e biznesit, e të rrisë ndjeshëm vendet e punës, si dhe do të krijojë hapësirat e nevojshme për zhvillimin e biznesit.

Licencat, lejet dhe autorizimet që hiqen nga MPPTT-ja

-Licencë profesionale për projektim veprash ndërtimore

-Licencë për laborator të provave materiale të ndërtimit

-Licencë për vlerësim të pasurive të paluajtshme

-Leje për manovrim të mjeteve të rënda të ndërtimit

-Agjenci spedicionere

-Konsulencë tekniko-ekonomike për transportin rrugor

-Autoriparimi, shitblerja, depozitimi i mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit dhe për veprimtaritë që lidhen me to

-Autoriparimi, shitblerja, depozitimi i mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit dhe për veprimtaritë që lidhen me to

-Kompetenca profesionale në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore

-Shërbimi postar

-Transporti detar nga pronare të mjeteve lundruese

-Agjenci detare

-Spedicion detar

-Agjenci detare dhe Spedicion detar

-Furnizim me ujë të pijshëm të anijeve

Licencat, lejet që transferohen nga MPPTT-ja tek vendorët

-Transporti i udhëtarëve në linjë të rregullt ndërqytetëse ndërmjet qarqeve

-Agjenci ndërkombëtare transporti udhëtarësh

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor:

- Transporti i mallrave të rrezikshme brenda vendit

- Transporti i mallrave me mjete jashtë norme

- Transporti ndërkombëtar i mallrave për të tretë dhe me qira

- Transporti ndërkombëtar i mallrave për llogari të vet

- Transporti ndërkombëtar i mallrave të rrezikshme

Licencat, lejet dhe autorizimet që lëshohen nga MPPTT-ja (8)

-Licencë profesionale për zbatim punimesh publike dhe mbikëqyrje kolaudim

-Transport ndërkombëtar udhëtarësh me autobus

-Shërbimet në linjë të rregullt ndërkombëtar udhëtarësh me autobus

-Shërbimet e rregullta të specializuara vajtje-ardhje ndërkombëtare udhëtarësh

-Operim në linja të rregullta ndërkombëtare detare për transport automjetesh dhe ose udhëtarësh

-Pilotim dhe omerxhim

-Tërheqja e mbeturinave të ngurta dhe vajore në portet detare dhe radat përkatëse

- Survejor i mjeteve lundruese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›