E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alia: Fatosi ka ndryshuar, po luan rol të keq

Flet ish-presidenti Ramiz Alia: Ramën nuk e kam takuar asnjëherë. S’e quaj të nevojshme

Ramiz Alia, një prej figurave më të debatuara në Shqipëri rrëfehet për “Ora News” në lidhje me marrëdhëniet me Berishën, Ramën etj.

Këto ditë mbushen 19 vjet nga themelimi i PS dhe shndërrimi i PPSH në PS. Po këtu keni pasur rol dhe cili ka qenë roli juaj?

Dihet, me statutin tonë në atë kohë, që unë meqenëse isha President dhashë dorëheqjen si sekretar i Partisë, se funksionimi ishte i papajtueshëm. Kështu që në parti ishin shokët e tjerë dhe natyrisht nuk isha i huaj për partinë por në dijeni për përgatitjet që po bëheshin për kalimin e Partisë së Punës në Parti Socialiste, gjë që u bë në Kongres, që u bë një raport, platforma, që më duket e lexoi Xhelil Gjoni. Unë mendoj që kalimi i PPSH në PS ishte krejt normal dhe i domosdoshëm.

Ju në atë periudhë ishit për shkrirje të PPSH dhe krijimin e një Partie Socialiste mbi bazën e kushteve të reja të së majtës apo ishit për ruajtjen e strukturave dhe thjesht për ndryshimin e emërimit dhe vazhdimësia?

Unë isha për këtë që u bë, që pak a shumë ishte ruajtje e partisë, e strukturave të saj, por shndërrimi i tyre në PS. Për arsye se po të bëhesh shpërndarjen e të gjithë partisë dhe të krijohej nga e para PS është një kohë e humbur. Nuk kishte logjikë se partia e re duhet të trashëgonte gjërat e mira të PPSH. Kështu u bë kjo parti.

Ju keni luajtur rol në vendosjen dhe në zgjedhjen e Fatos Nanos si kryetar?

Rol.. Fatosin e zgjodhën ata, komisioni që u caktua. Nuk ka dyshim që unë kam qenë për Fatos Nanon dhe e kam respektuar si një njeri i aftë, edhe kur u bë Kryeministër, jam unë që e kam iniciuar për këtë detyrë se kam vlerësuar tek ai një shok mjaft të përgatitur.

është e vërtetë që ju përpara Fatos Nanos keni thërritur Maqo Lakrorin për t’i propozuar një funksion të tillë?

Kam pasur një ide edhe për Maqo Lakrorin, por nuk pranoi.

Ka pasur kandidatura të tjera?

Në atë kohë jo.

Pse Fatos Nano dhe jo një tjetër?

Mua më është dukur një kuadër shumë i përshtatshëm në atë kohë, po të më pyesësh sot s’e kam atë mendim.

Pse?

Fatosi tani ka ndryshuar shumë.

Nuk është Fatosi i asaj periudhe?

Jo, nuk është, ka ndryshuar negativisht, për mendimin tim. Roli që po luan sot është shumë i keq, nuk e përkrah.

Me mendjen që jeni sot, kë mund të vinit në atë kohë?

Po, Fatos Nanon. Për atë kohë kam qenë i bindur.

Edhe me mendjen e sotme?

Edhe me mendjen e sotme. Por, Fatosi i sotëm është me para. Fatosi i atëhershëm ka qenë pa para.

është sistem kapitalist, sistem konkurrence ku paraja s’është e keqe si ka qenë dikur, ajo është e mirë...

Unë s’thashë gjë, ajo të ndryshon.

Keni luajtur ju më pas edhe për krerët e partive të tjera që u krijuan në atë periudhë?

Absolutisht jo. As për asnjë. Ka shumë njerëz që thonë tani pse Fatosin e bërë të PS, Berishën në PD, këtë e çove këtu, jo jo asnjërin.

Nuk donit apo nuk kishit mundësi?

Nuk ishte në linjën time që të interesohesha. Unë të thashë, e dërgova Berishën për të vendosur raportin tim me studentët, për të sqaruar raportin tim me studentët, vetëm kaq. Pastaj se ç’bënin studentët për të krijuar PD, ku u fut dhe Berisha, kjo s’më intereson mua, është punë e tyre. Ndërkohë, Skënder Gjinushi krijonte PSD, ishte punë e tij, s’u konsultua me mua këtë gjë. Po, thashë jam i interesuar për PS që rrjedh nga Partia e Punës. Edhe sot që ne bisedojmë unë s’jam anëtar i PS, por jam i majtë, s’e njoh fare Edi Ramën, s’takohem ndonjëherë me të.

S’e ke takuar kurrë Edi Ramën?

Nuk them se s’dua ta takoj, s’kam ndonjë inat, s’e kam takuar se s’e quaj të nevojshme.

Po në vitet ’90 ia keni dëgjuar emrin?

E kam dëgjuar emrin e tij dhe pikëpamjet e tij. E kam dëgjuar dhe e dëgjoj.

Po me Sali Berishën dhe Fatos Nanon jeni takuar?

Asnjëherë më. Jam takuar si gjithmonë në funksion të detyrës, me këta jam takuar.

Marrë me shkurtime

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›