E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Deklaratat e Ballës, shpifje të ulëta

“Shpifje të ulëta dhe trillime vulgare”, i ka konsideruar Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzat e deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndaj saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e kryeparlamentares hodhi poshtë akuzën e Ballës, sipas të cilës Topalli paguan një apartament në Shkodër me të ardhurat e Kuvendit. “Deputeti Balla bëri shpifjen e radhës kundër Kryetares së Kuvendit, duke thënë se Kuvendi paguan qira për një apartament në Shkodër. Kjo është një shpifje e ulët dhe trillim vulgar. Kryetarja e Kuvendit nuk ka marrë asnjë qindarkë, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për qira apartamenti, që nga momenti që është zgjedhur në këtë post”, deklaroi zëdhënësja në një deklaratë për mediat. Sipas saj, mospërfshirja e Topallit në këtë histori mund të verifikohet fare lehtë në zyrat e financës së Kuvendit të Shqipërisë. “Gjithçka është e dokumentuar në zyrat e financës, është lehtësisht e verifikueshme dhe hedh poshtë trillimin e paskrupullt të deputetit shpifës”, deklaroi zëdhënësja. Tri ditë më parë në seancën e radhës së Parlamentit, deputeti i PS-së, Taulant Balla, e akuzoi kryeparlamentaren edhe për abuzime për sa u përket udhëtimeve dhe dietave gjatë kryerjes së detyrave të saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›