E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta inauguron hapjen e ambasadës në Bosnjë

Zv.kryeministri

Gjatë vizitës së tij në Sarajevë në kuadër të Takimit të Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë në hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm ministri i Punëve të Jashtme, të Bosnjë-Hercegovinës, Sven Alkalaj, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, i ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë, Flamur Gashi, si dhe qytetarë vendas me origjinë shqiptare. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se hapja e ambasadës shqiptare në Sarajevë reflekton qartë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe i hap rrugë intensifikimit të mëtejshëm të tyre. Meta tha se ishte i lumtur që ndodhet në këtë inaugurim zyrtar të ambasadës. “Mendoj se është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe tregues i qartë i prioritetit shumë të rëndësishëm që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me fqinjët, kontribut që ne do ta shtojmë akoma më tej, në shërbim të integrimit europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Meta. Më tej, Meta njohu të pranishmit me potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria, duke ftuar në mënyrë të veçantë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›