Alibeaj: Mazhoranca po vuan nga opozita tekanjoze
Mazhoranca po duron deri në përvuajtje sjelljen tekanjoze dhe refuzuese të opozitës në vend. Ky është mendimi i deputetit të Partisë Demokratike, ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një interviste për “Shqip”. Duke bërë një analizë të situatës politike në vend, Alibeaj thekson se ka ardhur koha që opozita të tregojë nëse ka ardhur në Parlament për të kontribuar realisht në jetën politike të vendit, apo e shtyrë nga presioni i ndërkombëtarëve. Duke folur për nismat ligjore të opozitës në Parlament, Alibeaj thekson se me veprimet jologjike që kanë pasuar dorëzimin e këtyre nismave, opozita duket sikur nuk ka interes në shqyrtimin e tyre normal. Si një deputet i Qarkut të Fierit, Alibeaj sqaron edhe të gjithë situatën e cila ka ndodhur ditën e zgjedhjeve në Komunën e Ruzhides dhe përgjegjësinë e komisionerëve të PS-së për situatën e krijuar.
Si e shikoni situatën politike në vend pas hyrjes së deputetëve të opozitës në Kuvend dhe pas deklaratave se do të bojkotojnë përsëri në rast se plotësohen kërkesat e tyre për hapjen e kutive?
Sigurisht që ka një ndryshim të madh krahasuar me situatën paradoksale kur deputetët e opozitës treguan hapur e madje në mënyrë deri edhe të papërgjegjshme politikisht një mospranim të rregullave të demokracisë dhe refuzim të urdhërimeve kushtetuese dhe ligjore. Ndryshimi është pozitiv, se tashmë Parlamenti njohu së paku një seancë me pjesëmarrje të plotë nga ana formale. E madje edhe kërkesat e saj (nismat ligjore) i janë nënshtruar procedurës normale parlamentare. Ajo çfarë ngelet ende për t’u demonstruar nga ana e opozitës është nëse këto veprime kanë qenë zgjedhje e lirë e saj, për t’u kthyer tashmë në betejën e arsyeshme politike dhe parlamentare, apo ka qenë e detyruar nga presioni ndërkombëtar. Veprimet pasuese dhe deklaratat e tyre për bojkot të përsëritur dhe të pakuptimtë, për më tepër, tregojnë në masën më të madhe se ende opozita jo vetëm është e paqartë, por se vazhdon të mos “bojkotojë” mendësinë e bojkotit. Zgjedhje kjo, anakronike për kohën dhe kushtet aktuale. Deklaratat e saj tregojnë përsëri për një logjikë absurde, përderisa ka parashtruar nisma ligjore dhe nuk merr pjesë në Kuvend si organi që i shqyrton këto nisma. është kjo një tendencë e një sjelljeje të pastudiuar, joserioze, madje me një analizë jo shumë të hollë. Duket sikur opozita nuk dëshiron në fund të fundit, shqyrtimin e qetë, të plotë dhe deri në fund të kërkesave të saj. Duket sikur “armiku” më i madh i opozitës sot është qetësia institucionale dhe respektimi i procedurave ligjore. Nëse është kështu, ky është një ogur i keq për vetë opozitën, përfaqësuesit dhe kauzën e saj.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, PS është shprehur se ajo nuk pati konsensusin e mazhorancës për nismat e saj ligjore. Pse këto drafte nuk kaluan sipas rrugës ligjore normale në komisionet parlamentare dhe çfarë mendoni se do të ndodhë në seancën plenare ku ato do të shqyrtohen?
është edhe kjo një shprehje e refuzimit të opozitës për të eksploruar me qetësi rrugët normale parlamentare. Konferenca e Kryetarëve përcakton procedurat dhe afatet e kalendarit të punimeve të Kuvendit. Nuk është organ i cili shqyrton thelbin e një iniciative ligjore konkrete. E pikërisht këtë ka bërë konferenca. Ju e dini tashmë që është përcaktuar një datë për shqyrtimin në seancë plenare të propozimit të opozitës, që në çdo rast do të njohë edhe kalimin në komisionet përkatëse. Duket se opozita e ka të vështirë, madje ka frikë ta pranojë që mazhoranca është kaq e hapur, bashkëpunuese dhe e qetë në pranimin e çdo kërkese të ligjshme të opozitës. Seanca plenare përkatëse e Kuvendit do të jetë një seancë normale, në të cilën Kuvendi do të shqyrtojë një apo disa iniciativa ligjore, sigurisht ashtu siç ka detyrimin të bëjë, pra në respekt të plotë të parashikimeve kushtetuese, në procedurë dhe në përmbajtje.
Opozita i ka paraqitur një “sfidë” mazhorancës, duke i kërkuar hapjen e kutive në Komunën e Rruzhdies, zonë në të cilën demokratët pretendojnë se kanë humbur një mandat deputeti. Si e gjykoni këtë kërkesë të opozitës?
Po e lë ta gjykojnë lexuesit tuaj këtë kërkesë, duke u kufizuar thjesht në paraqitjen e saktë të fakteve. Në Komunën Ruzhdie, pjesë e Qarkut të Fierit, në datën 28 qershor 2009, tre anëtarë të komisionit të qendrës së votimit, të gjithë përfaqësues të opozitës, që në orën 09:00 të paradites së asaj dite, largohen nga qendra e votimit duke braktisur qendrën e votimit. Rrëmbejnë me vete edhe vulën e qendrës së votimit me të cilën vuloseshin fletët e votimit. Siç e dini, fletët e votimit duhet të kenë dy vula në anën e prapme. Deri në momentin kur përfaqësuesit e opozitës ishin prezentë në qendrën e votimit (pra fletët e votimit ishin vulosur me dy vula) rezultati ishte 75 vota për PD-në dhe 12 vota për PS-në. Votimi ka vazhduar normal, pasi shumica e komisionit ishte e pranishme. Tre rrëmbyesit socialistë të vulës u njoftuan nga KQZ të kthenin sendin e vjedhur, por nuk e bënë një gjë të tillë. Pjesa tjetër e fletëve të votimit u vazhdua të vulosej me vulën e mbetur në qendrën e votimit. Në përfundim, rezultati ishte i tillë që për PD-në kishin votuar mbi 400 votues dhe për PS-në rreth 70. Plani i rrëmbyesve të vulës shkoi deri në fund, kur KZAZ përkatëse me shumicë të majtë i konsideroi të pavlefshme këto 400 vota qytetarësh që kishin votuar për PD-në, me “sebepin” se nuk ishin vulosur nga një prej vulave. Ishte pikërisht vula e vjedhur prej komisionerëve socialistë! Përfundimisht rezultoi se rreth 400 vota të PD-së në Qarkun e Fierit nuk iu llogaritën në totalin e votave, ndërkohë që mandati i shtatë për PD-në, pa këto 400 vota, nuk u fitua aritmetikisht vetëm për rreth 150 vota diferencë! çdokush mund të kalkulojë se ç’mund të ndodhte me mandatin e 7 të PD-së, nëse komisionerët socialistë nuk do e braktisnin qendrën e votimit dhe nuk do rrëmbenin edhe vulën, duke bërë të pavlefshme mbi trefishin e atyre 150 votave për të cilat koalicionit të PD-së iu mohua i shtati mandat në këtë qark!
Pse mazhoranca nuk i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë rolin e komisioneve hetimore parlamentare dhe pse nuk e merr ajo iniciativën ta çojë kërkesën e PS-së në Komisionin e Venecias?
Sepse Gjykata Kushtetuese tashmë e ka bërë interpretimin e rolit të komisioneve hetimore me vendimet e mëparshme të saj (ju përmend këtu vendimin nr.20 të vitit 2007, apo vendimin nr.18 të vitit 2003, sa për kujtesë të opozitës). Jo vetëm të rolit të tyre, por edhe të objektit të hetimit, të metodologjisë së hetimit, të natyrës së raportit përfundimtar dhe të marrëdhënieve mes Kuvendit dhe institucioneve të tjera me natyrë hetimore apo vendimmarrëse. Kështu që nuk ka sens të kërkosh interpretimin e diçkaje që është qartësisht e lexueshme dhe lehtësisht e kuptueshme, pa asnjë mundësi gabimi. Së dyti, nuk është mazhoranca ajo që duhet të kërkojë interpretime në Komisionin e Venecias. Kjo për faktin që për mazhorancën është e qartë si çështje. Nga ana tjetër, përfaqësues të lartë të PS-së nuk duan dhe nuk besojnë as në një komision kaq profesional teknikisht dhe me traditë dhe përvojë politike siç është ai i Venecias. Janë ata që nuk e duan një gjë të tillë. Ka shumë gjasa që nëse çështja do t’i kalohej këtij komisioni, opozita do të dilte në protesta kundër këtij komisioni. Kaq e pakuptimtë është sjellja e opozitës në këtë rast. Mazhoranca përgjatë gjithë kësaj kohe ka treguar maturi, durim, madje përvuajtje në dialogun me opozitën, përkundrejt sjelljes tekanjoze dhe refuzuese të opozitës.
Mendoni se situata politike që po kalon vendi do të ndikojë në proceset integruese dhe kryesisht në liberalizimin e vizave, proces i cili është premtuar se do të ndodhë së shpejti?
Ky proces nuk është thjesht se është premtuar që të ndodhë. Ky proces do të ndodhë. E kjo është pasojë e analizës dhe gjykimit që komuniteti ndërkombëtar u ka bërë arritjeve të Shqipërisë jo vetëm gjatë mandatit të mëparshëm, por edhe të këtij fillim mandati. Procesi i liberalizimit dhe konkludimi i suksesshëm i tij është rrjedhojë automatike e procesit reformues që qeveria ka ndërmarrë si detyrim ndaj të gjithë shqiptarëve e që në mënyrë të suksesshme e të pranuara tashmë janë realitet. Një proces kaq i rëndësishëm për të gjithë, pra jo vetëm për mbështetësit e mazhorancës, por edhe ata të opozitës, kaq serioz për të ardhmen e vendit, kurrsesi nuk mund të jetë peng i sjelljeve politike të papërgjegjshme, që as për moral politik apo justifikim publik nuk bëjnë referencë te një pikëtakimi historik për të ardhmen e gjithë shqiptarëve, siç është liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë. është me të vërtetë për të ardhur keq për gjendjen e opozitës. Mazhoranca është e vendosur dhe po vë në jetë përditë e me shumë përmbushjen konkrete të detyrimeve të fundit që po kurorëzojnë këtë proces. Shqiptarët do të lëvizin të lirë dhe dinjitozë në Europë, duke lënë pas krahëve fytyrat e trishtuara të përfaqësuesve të opozitës.
#