Hakerat serbë sulmojnë faqen e Presidentit
Sulmohet faqja zyrtare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Dje në mbrëmje, nga ora 18:00 deri në 19:30, uebsajti i kreut të shtetit është bllokuar, ndërkohë që për më se 15 minuta në faqen e parë të faqes www.president.al shkruhej me shkronja të mëdha: “Kosova është Serbi”. Por kjo nuk ka qenë fraza e vetme e hakerave serbë që kanë nxjerrë jashtë përdorimit një burim zyrtar të informacionit, pasi ata u janë përgjigjur “kolegëve” të tyre kosovarë, të cilët disa ditë më parë kanë ndërhyrë në faqen e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, por jo në uebsajtin zyrtar. Në faqen boristadic.org, një grup hakerash kosovarë kanë sulmuar këtë faqe si shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit të së hënës ndaj faqes zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës nga disa hakera serbë. “Pas sulmit të hakerave serbë ndaj faqes së Presidentit tonë, na ka ardhur shumë rëndë kjo, dhe për këtë arsye ne si hakera shqiptarë ua kemi kthyer këtë gjë duke hakeruar ueb-faqen zyrtare të Presidentit serb, Boris Tadiç”, thuhet në një deklaratë të grupit të hakerave kosovarë. “We have the best President in the world, Fatmir Sejdiu, Republic of Kosova. Ne jemi legjenda të gjalla, nuk vdesim kurrë”. Këto janë disa nga fjalët që shkruhen në “home page”-n e faqes zyrtare të Presidentit serb, nëse klikohet në www.boristadic.org. Uebsajti zyrtar i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është sulmuar mbrëmjen e së dielës nga grupi i ashtuquajtur “hakerat serbë”. Si pasojë e sulmit, në ballinë të faqes së internetit të Presidentit të Kosovës www.president-ksgov.net është vendosur mbishkrimi “Kosova është Serbi”, një hartë e Serbisë që përfshin edhe territorin e Kosovës dhe një foto e manastirit të Deçanit.
#