E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat vendore, projektligji i ri, më shumë të ardhura për lokalët



Ndryshimi i disa taksave vendore, ku shumë syresh janë rritur do të sjellë më shumë të ardhura për pushtetin vendor, bashkitë e komunat. Kjo parashikohet në projektligjin e ri "Për sistemin e taksave vendore", i cili është miratuar dje nen për nen nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Gjatë diskutimit të projektligjit këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo, u shpreh se projektligji synon rritjen e disa taksave vendore dhe paraqitjen e disa taksave të reja vendore në kuadër të parimit të funksioneve të decentralizuara të pushtetit vendor, duke rritur kështu nivelin e të ardhurave të organeve të pushtetit vendor. Milo u shpreh se "gjatë hartimit të projektligjit, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Financave dhe është arritur konsensusi i plotë për projektligjin". Ndërkohë që kryetari i këtij komisioni, Edmond Spaho, u shpreh se "opozita e kundërshton këtë projektligj, megjithëse është tërësisht propozim i saj". Në bazë të projektligjit të miratuar, me ndryshimet në taksat vendore, të gjithë qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e apartamentit të tyre në bazë të vitit të ndërtimit, por ajo do të paguhet në bazë të zonave. Ndryshimet parashikojnë trefishim të taksës, ndryshe nga vlera që paguhej më parë. Kështu, kryeqytetasit të cilët kanë apartamentet e tyre brenda Unazës, taksën e ndërtesës e kanë katërfish më të lartë. Në sistemin e taksave vendore do të shtohen dy taksa të reja: taksa e truallit urban, e cila përfshihet në konceptin e taksës së pasurisë së paluajtshme dhe taksa për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit. Sipas këtij projektligji, të gjithë qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e apartamentit të tyre në bazë të vitit të ndërtimit, por ajo do të paguhet në bazë të zonave. Taksa e pasurisë në Shqipëri është trajtuar në lekë për m2, duke përgjithësuar të gjithë taksapaguesit me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit, vitin e ndërtimit të tyre dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme. Në nivelet e reja të propozuara të taksës mbi ndërtesën, është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave, sipas vitit të ndërtimit. Efekti pozitiv vjetor i rritjes së taksës së ndërtesës do të jetë 2.1 miliardë lekë për vitin 2008 dhe si rezultat i rishikimit në rritje të nivelit të taksës të ardhurat vjetore kanë një pritshmëri me rreth 4.1 miliardë lekë. Po ashtu, projektligji sjell nivelet e reja treguese të taksës mbi tokën bujqësore. Këto nivele janë rritur duke u dyfishuar, për shkak të nivelit të ulët aktual të kësaj takse. Ministria e Financave në argumentin e domosdoshmërisë së kësaj rritjeje, thotë se u analizuan të dhënat e nivelit të kësaj takse në disa bashki, si Vlora, Lezha dhe Kuçova, të siguruara nga Shoqata e Bashkisë. Në ligjin ekzistues, niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind e kësaj vlere për të gjitha bashkitë dhe komunat, me përjashtim për Bashkinë e Tiranës, niveli i së cilës është 2 deri 4 për qind e saj. Efekti pozitiv vjetor i rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë është parashikuar 2.8 miliardë lekë. Ndërsa për këtë vit janë parashikuar të mblidhen 2.8 miliardë lekë nga kjo taksë. Nga 1 janari 2009, të gjithë qytetarët do të paguajnë taksën vjetore të regjistrimit të mjeteve të transportit rrugor, që do të përcaktohet sipas ligjit të taksave kombëtare. Kjo taksë vendore do të bashkohet me taksën (kombëtare) vjetore të qarkullimit të mjeteve në një taksë të vetme: taksa vjetore e regjistrimit dhe qarkullimit të mjeteve, masa dhe mënyra e përcaktimit të së cilës do të jetë e përcaktuar në ligjin e ri për taksat kombëtare. Të ardhurat e kësaj takse do të ndahen midis qeverisjes qendrore dhe lokale, në masat respektive 60 për qind dhe 40 për qind. Të ardhurat për qeverisjen vendore nga kjo taksë do të jenë rreth 2.040 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›