E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alonso ska frike nga Fetel Ai le te vije te Ferrari

Formula 1 Spanjolli nuk i trembet ardhjes së kampionit të botës te “Kokëkuqja”

I qetë, i relaksuar, i sigurt në vetvete. Është dukur kështu Fernando Alonso në një intervistë të dhënë me rastin edicionit të dytë të “Carrera Solidaria Cajastur”, një eveniment bamirësie në qytetin e tij të lindjes, i cili e ka parë si protagonist pikërisht gjatë festave të Krishtlindjeve. Sigurisht, nuk mund të pritet një sjellje e ndryshme, nëse mendojmë pozitën në të cilën gjendet spanjolli. Por mjafton të ndalemi te pyetjet për të nga disa gazetarë, për të mos u habitur. I pyetur në lidhje me një ardhje të mundshme te Ferrari i Sebastian Fetel, Alonso në fakt ka deklaruar: “Nuk kam aspak frikë nga Fetel: nëse një ditë Sebastian do të vijë te Ferrari, nuk do të ketë asnjë problem. Nuk kam asgjë të veçantë për të thënë për këtë. Por, unë nuk kam aspak frikë për të përballuar cilindo shok skuadre, sepse nuk e kam pasur kurrë”. Mundësia që kampioni i ri mund të zbarkojë te Ferrari nuk duket dhe aq e largët, sidomos kur merr në konsideratë intervistat e dhëna nga Fetel vetëm disa kohë më parë, në të cilat gjermani i shkel syrin “Kokëkuqes”. E njëjta gjë vlen edhe për deklaratat e Luka Kordero di Montezemolo, i cili, vetëm disa ditë më parë, shprehej për tabloidin gjerman “Express”: "Fetel? Herët a vonë do të drejtojë një makinë të kuqe”. Pra, lëvizjet e “Cavallino”-s në shahun e merkatos së pilotëve 2011 duket se janë të përkufizuara, por për 2012 gjithçka mbetet për t’u verifikuar dhe ku i dihet nëse Ferrari mund të bëjë “shah”. Hipotezat që rrethojnë Ferrarin në këto momente mbarojnë të gjitha me një pikëpyetje të madhe. Ndërsa, Alonso prehet optimist për sezonin e ardhshëm. “Nuk kam asnjë dyshim mbi faktin se vitin e ardhshëm do të kem Ferrarin që dua. Ferrari ka obligim të synojë fitimin e Botërorit për prestigjin që shoqëron gjithmonë”, - thotë spanjolli, i cili e mbyll deklaratën për Fetelin me një frazë thumbuese: “Asnjë nga shokët e mi nuk ka bërë një pikë të vetme më shumë se unë, prandaj nuk shikoj ndonjë arsye për të pasur frikë prej tij”. “I sigurt në vetvete, sigurisht. Por, në lidhje me faktin e të qenit “i qetë” dhe “i relaksuar” ngrihet ndonjë dyshim...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›