Murinjo Pa humbjen 5-0 me Barcen ky nje vit perfekt
“Pa atë humbje (5-0 më 29 nëntor) me Barcelonën, viti im do të kishte qenë perfekt”. Kjo ishte deklarata e Zhoze Murinjos, pasi është shpallur fitues i çmimit “Artur Agostinjo” në Portugali, një shpërblim për sukseset që ka arritur gjatë 2010-ës. Megjithatë, disfata në “Kamp Nou” përballë “blaugranave” të Pep Guardiolës nuk e ndalon teknikun lizitan ta cilësojë vitin që po mbyllet, si “më të mirin në karrierën time”. Kjo, falë “tripletës” me Interin, ku fitoi Champions League, Serinë A dhe Kupën e Italisë, por pa harruar edhe kalimin te Reali i Madridit.
Në një intervistë të gjatë për “Record”, Murinjo ka pranuar se, “ndjen pak presion për të fituar një trofe sa më shpejt që të jetë e mundur”. 47-vjeçari ka folur edhe për kontratën që e lidh në “Santiago Bernabeu” për 4 vitet e ardhshme. Ai deklaroi: “Ideale do të ishte që të qëndroja këtu deri në fund të kontratës me klubin. Megjithatë, e kam të qartë, madje të gjithë e dinë fare mirë, se për ta realizuar diçka të tillë nuk mund të qëndroj një, dy apo tre vjet pa fituar trofe. Gjithmonë e kam ditur se të tilla janë rregullat e lojës. Duke qenë se nuk mund ta përgatis të ardhmen pa fituar, synimi është që të kem sukses prej fillimit”. “Mou” nuk i ka kursyer elozhet për Kristiano Ronaldon, lojtarin që mund të cilësohet si pika më e fortë e ekipit “merengue”: “Është fantastik, një djalë i jashtëzakonshëm. Fizikisht është më i fortë se asnjëherë tjetër, i ka të gjithë parametrat që ta shndërrojë këtë në sezonin e tij më të mirë në karrierë”. I paevitueshëm ishte kapitulli “Portugali”. Murinjo theksoi se fakti që nuk iu dha mundësia të drejtonte përfaqësuesen e vendit të tij për dy ndeshje në kualifikueset e Euro 2012 (si zgjidhje e përkohshme pas largimit të Karlos Kueiroz, pasi Reali i Madridit ia ndalon impenjimin e dyfishtë) ishte “zhgënjimi më i madh për vitin 2010”. Më tej, si shtoi: “Ndoshta nuk jam personi i duhur për të punuar si trajner i një ekipi përfaqësues; kjo është çështje mentaliteti dhe personaliteti. Unë jam një trajner që duhet të punojë çdo ditë, por në atë moment kisha ndjesinë se mund ta kisha bërë diçka të tillë”.
Ndërkohë, për gazetën spanjolle “AS”, Feliks Murinjo sqaron karakterin e vështirë dhe sjelljen ndonjëherë arrogante të djalit të tij, Zhoze. 72-vjeçari, një ish-portier dhe trajner ka nënvijëzuar: “Nëse do të ishte treguar modest, atëherë do ta kishin shqyer. Në futboll, fjala modesti nuk ekziston”. Feliks kishte një rol mjaft të rëndësishëm në formimin e “Specialit”. “Zhoze merrte gjithmonë pjesë në stërvitjet e mia, kur drejtoja Vitoria Setubalin. Më ndiqte nga mbrapa, edhe pse ishte vetëm një fëmijë. Nuk është e vërtetë se e paguaja për ndihmën që më jepte: dhurata ime ishte që i krijova mundësinë të studionte, pasi në futboll janë të pakët ata që kanë sukses”, - tregoi ai. “Ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm dhe të gjithë shokët e tij, edhe tani që është i famshëm, ia vlerësojnë cilësitë e mëdha njerëzore. Im bir nxit xhelozi, pasi ka fituar shumë trofe, ndërkohë që ishin të shumtë ata që mendonin se ai nuk do t’ia dilte mbanë”.