E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet marrëveshje mes palëve. Po zvarrisni marrëdhëniet me BE-në

Në “Top Channel” Ambasadori Montobio: Shprehim shqetësimin për koston që kjo situatë ka dhe mund të krijojë për Shqipërinë

Bashkimi Europian paralajmëron klasën politike se thellimi i krizës do të cenojë dukshëm procesin integrues. Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, lëshoi apelin e fundit për Sali Berishën dhe Edi Ramën, duke ju kërkuar të gjejnë zgjidhje sa më shpejt. Në një intervistë ekskluzive dhënë për “Top Channel”, kryediplomati i vendit që kryeson Presidencën e BE-së, thotë se duhet të miratohet në Parlament një ligj për të cilin të jetë rënë dakord nga palët mbi ngritjen dhe kompetencat e komisionit hetimor për zgjedhjet e kaluara. Vendim që siç thotë Montobio, duhet mbështetur te Kushtetuta dhe transparenca.

Atëherë zoti Montobio, cili është vlerësimi juaj për situatën e fundit të krijuar. Kemi një debat në seancën e fundit parlamentare, shumica ka ngritur vet komisionin hetimor parlamentar, por kjo nuk është mirëpritur nga opozita, situata ka ngecur siç ishte në fillim në fakt. Cili është vlerësimi juaj për këtë situatë?

Në të gjitha deklaratat e bëra nga përfaqësues të Bashkimit Europian, nga zoti Fule, nga zoti Mirel, në të gjitha momentet ajo që është thënë për vlerësimin e situatës politike në Shqipëri është se kemi të bëjmë me një ngërç politik. Në çdo moment është përdorur ky term. Arsyeja për këtë ngërç politik janë mosmarrëveshjet mbi kompetencat, mbi komisionin hetimor në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Në mënyrë të veçantë sesi ky komision duhet të bëjë transparencë për zgjedhjet e kaluara, ku mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord. Ajo që ka thënë Bashkimi Europian është se zgjidhja e këtij ngërçi politik është një dialog konstruktiv politik dhe rezultati që do të arrihet nëpërmjet këtij dialogu është pikërisht një marrëveshje për mandatin e këtij komisioni hetimor parlamentar. Ne e kemi thënë dhe komisioneri Fule ka bërë një deklaratë publike të premten e kaluar, që përmbajtja e këtij mandati duhet të bazohet në dy principe, i pari është respektimi i Kushtetutës dhe i dyti ai i transparencës. Dhe siç ai e sqaroi, ky është një kusht kyç i Bashkimit Europian. Ku do të arrihet kjo marrëveshje? Në Parlament dhe ashtu siç e tha komisioneri Fule, vendi për të arritur këtë gjë është Parlamenti, ku dialogohet dhe arrihet në një konsensus. Dhe kush duhet ta arrijë këtë marrëveshje? Liderët e politikës shqiptare, që do të thotë njëkohësisht pra që zgjidhja ashtu siç e tha dhe komisioneri Fule nuk duhet të vijë nga jashtë. Dhe si duhet të arrihet kjo marrëveshje? Ashtu siç e shpreh edhe ai qartë në deklaratën e tij, duke e zgjidhur këtë sfidë në mënyrë konstruktive në shpirtin e Bashkimit Europian. Dhe çfarë rrezikon Shqipëria me mosarritjen e këtij konsensusi? Ajo që rrezikon është arritja e standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian dhe siç e kemi thënë dhe në deklarata të mëparshme, humbet mundësinë për të bërë hapa përpara në perspektivën europiane. Dhe, ne i kemi thënë, ato që janë etapat e rëndësishme për avancimin në këtë perspektivë europiane të Shqipërisë. Ne e kemi shprehur qartë pozitën tonë, shqetësimet tona, në të gjitha kontaktet tona me liderët shqiptarë dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të qeverisë shqiptare, duke sqaruar se çfarë rrezikohet dhe cili është mendimi ynë dhe procedurat që do të ndërmerren. Ne kemi bërë një deklaratë publike pasi Presidenti Topi thirri tryezën e përbashkët mes dy liderëve, që ishte një deklaratë për të cilën kishin rënë dakord të 27 vendet e Bashkimit Europian. Ne e shprehëm dhe e ngritëm shqetësimin tonë se afati i parë po skadonte dhe ishte data 12 mars në komisionin e asocim-stabilizimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, dhe pikërisht ky ngërç politik i Shqipërisë ishte kryesori në axhendën e këtij komisioni. Drejtori për pjesën e Ballkanit Perëndimor, i cili është zoti Pierre Mirel, u shpreh shumë qartë gjatë punimeve të komisionit dhe në konferencën për shtyp pasi mbaroi komisioni, pra që ne e konsiderojmë të një rëndësie të jashtëzakonshme arritjen e një marrëveshjeje në Komisionin e Ligjeve në mënyrë që të miratohej një ligj i përbashkët ku të gjitha palët të ishin dakord, në mënyrë që kur të realizohej vizita e komisionerit Fule në Shqipëri situata të ishte e zgjidhur. Por kur ai arriti në Shqipëri, kjo situatë nuk ishte zgjidhur, menjëherë kur ai u largua dhe mbaroi vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, u arrit një situatë tjetër, pra nuk kishte një ligj për të cilin të kishin rënë dakord të gjitha palët, pra nuk u prodhua si rezultat tejkalimi i këtij ngërçi politik. Kemi përpara etapa dhe afate të rëndësishme për t’u arritur, ndërmjet të tjerave dhe këshilli i asocim-stabilizimit në një nivel ministerial ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. është një takim që ndodh vetëm një herë në vit dhe në këtë mënyrë kjo do të kushtëzojë për një kohëzgjatje prej rreth një viti marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe prandaj ne i rikujtojmë edhe një herë rëndësinë e këtij afati që kemi përpara dhe kërkesa jonë është që të merret parasysh interesi i përbashkët kombëtar në mënyrë që të kalohet dhe të tejkalohet kjo situatë.

Atëherë në këtë situatë që ju pranoni, pra në këtë ngërç politik, në këtë tension mes dy palëve, në këtë mosgjetje të gjuhës së përbashkët, cili është mesazhi që përcjell Bashkimi Europian?

Unë do të thoja që mesazhi ynë është i dyfishtë, së pari shprehim keqardhjen tonë që nuk është bërë e mundur të zgjidhet kjo krizë politike deri tani dhe ne shprehim shqetësimin për koston që kjo situatë ka dhe mund të krijojë për Shqipërinë. Njëkohësisht do të donim të shprehnim një dëshirë të orientuar nga e ardhmja, pra që të trajtohet kjo sfidë në mënyrë konstruktive brenda shpirtit të Bashkimit Europian, ashtu siç tha edhe zoti Fule në deklaratën e tij. Pra të mund të arrihet në Parlament një ligj për të cilin të jetë rënë dakord nga palët mbi ngritjen dhe kompetencat e komisionit hetimor mbi zgjedhjet e kaluara bazuar te Kushtetuta dhe transparenca. Ashtu siç e theksoi edhe komisioneri Fule të premten e kaluar, mazhoranca dhe opozita janë përgjegjëse, të dyja palët pra janë të nevojshme e të domosdoshme dhe ne i bëjmë thirrje të dyja palëve të arrijnë këtë marrëveshje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›