E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë me sheshin Skënderbej

Teksa zgjedhjet lokale afrohen, ashpërsohen kritikat qeveri-Bashki e Tiranës

Afrimit të zgjedhjeve vendore të vitit 2011 po i paraprin debati mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Shkak për konfrontimin e radhës është bërë sheshi kryesor i kryeqytetit, ai “Skënderbej”, i cili prej kohësh është katandisur në gjendje të keqe, duke u bërë një problem për mjetet që kalojnë dhe imazhin e kryeqytetit të vendit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë ishte Kryeministri Sali Berisha ai që i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, të bëhej asfaltimi i këtij sheshi sa më shpejt të ishte i mundur. Kryeministri nuk ngurroi ta cilësojë gjendjen e sheshit me një situatë horrori, e cila, sipas tij, ishte e patolerueshme për qendrën e një kryeqyteti europian. “Të kalosh nga xhamia tek hotel ‘Tirana’, do të thotë të përshkruash një rrugë tërësisht me gropa. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës, prandaj sa të bëjnë zgjedhje pas zgjedhjesh ata, ne duhet të shtrojmë një shtresë të mirë asfalti. Nuk duhet të turpërojmë vendin, pasi kushdo që vjen aty sheh një shkatërrim”, theksoi Berisha. Sipas tij, nuk mundet që lobe të caktuara, me interesa hotelesh, të bllokojnë sheshin e qytetit. Po kështu, Kryeministri përmendi faktin se të huajt që vinin në Shqipëri nuk e kuptonin pse ky shesh ndodhej në një gjendje të tillë. Sipas Berishës, pa të drejtë të gjithë mendonin se kjo situatë kishte ardhur si pasojë e neglizhencës së qeverisë kundrejt fondeve që i jepte Bashkisë së Tiranës. “çdo i huaj që vjen do të më thotë çështjen e sheshit. Ata mendojnë se Bashkisë së Tiranës nuk i jepet asnjë qindarkë, se nuk ka njeri që mund të mendojë se sheshi lihet me qëllim në atë mënyrë, prandaj, zoti ministër, ulu të bisedosh me të”, porositi Berisha, ministrin Olldashi. Sipas tij, qytetarët duan një shesh të rregullt dhe ata nuk mund të presin deri në zbatimin e planeve të cilat po shqyrtohen nga Bashkia e Tiranës. Në fjalën e tij Berisha përmendi edhe faktin se fondi prej 10 milionë dollarësh për rindërtimin e këtij sheshi i është dhënë që prej dy vitesh Bashkisë së Tiranës, por ende sheshi vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme. “Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë dollarë për sheshin dhe aty akoma kalohet nga gropa në gropë”, deklaroi Berisha, duke siguruar se qeveria nuk ka ndërmend të ndërmarrë kompetencat e bashkisë, por vetëm të përmirësojë infrastrukturën. Por fakti që projekti për rindërtimin e sheshit të kryeqytetit është i financuar dhe gati për zbatim, është pranuar dy ditë më parë edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Por sipas Ramës, mosrealizimi i rindërtimit është bërë si pasojë e neglizhencës së qeverisë për shpronësimet që duhet të bëjë në Unazën e Vogël. “Sheshi ‘Skënderbej’ prej kohësh është i projektuar, është edhe i financuar, por është edhe i bllokuar, për shkak të veshit të shurdhër të qeverisë dhe moszbatimit nga ana e saj, të detyrimit për të bërë një shpronësim që do të hapte aksin e Unazës së Vogël, duke mos lejuar që sheshi të degradojë deri në atë pikë ku është degraduar, duke u bërë shqetësim për të gjithë”, ka theksuar Rama. Sipas tij, shkaku kryesor për vonesat në realizimin e këtij projekti të madh mbetet shpronësimi i domosdoshëm që hap arterien e Unazës së Vogël te godina e INSIG-ut, që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”. Por kryebashkiaku i Tiranës premtoi se pavarësisht kësaj pengese të mosarsyes, bashkia do të vazhdojë punën dhe së shpejti do rifillojë punimet në shesh, falë akseve që po përgatiten, për të përballuar fluksin e trafikut që duhet devijuar nga sheshi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›