OSSH, Komisioni i Ekonomisë miraton kontratën e shitjes
Kompania çeke që ka blerë kompaninë shqiptare OSSH, do të derdhë në arkën e shtetit 102 milionë euro, vlerën me të cilin e privatizoi shpërndarjen, kur kontrata e shitjes të hyjë në fuqi, pasi të jetë miratuar në Parlament. Ndërsa BB-ja ka kërkuar që qeveria shqiptare duhet të ndihmojë shtresat në nevojë për sa i përket subvencionit të energjisë elektrike dhe nga ana tjetër ka sugjeruar që të rishihet niveli i TVSH-së për faturat. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje kontratën e shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), kompanisë çeke CEZ. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Alfred Rrushaj, në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke "CEZ" do të derdhë për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit 102 milionë euro. Lidhur me çmimin e energjisë elektrike pas shitjes së OSSH-së, Rrushaj tha se shtresat në nevojë do të mbështeten nga qeveria shqiptare. Për sa u takon humbjeve, ai theksoi se në kontratë është parashikuar që CEZ të ulë me 8% humbjet në 2 vitet e para. Ndërkohë, përfaqësuesi i METE-s sqaroi se kompania çeke ka blerë aksionet e qeverisë shqiptare, çka do të thotë se nuk merr përsipër të mbulojë borxhet e akumuluara për shkak të humbjeve apo edhe ndërhyrjeve në rrjet apo si rezultat i mospagimit të faturave nga abonentët. Gjatë debatit në komision për miratimin e kontratës ishte i pranishëm edhe eksperti për energjinë për Shqipërinë në Bankën Botërore, Demetrious Papathanasiou. Gjatë fjalës së tij, lidhur me situatën e OSSH-së dhe çmimin e energjisë elektrike për vitin që vjen, përfaqësuesi i BB-së tha: "Çmimi i energjisë në rajon si dhe reshjet do të jenë dy faktorët që do të përcaktojë nivelin e çmimit të energjisë elektrike për vitin që vjen".