Gjykata, burg për jetë Lulëzim Berishës

Përfundon maratona e gjyqeve për Bandën e Durrësit . Pas një sërë seancash në Gjykatën e Krimeve të Rënda, mes debateve të Prokurorëve dhe Avokatëve më në fund organi jep vendimin për 16 anëtarët e "Bandës së Durrësit". Do të qëndrojnë në qeli përjetë 4 anëtarët e kësaj bande, i cilësuari si drejtues i bandës Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj dhe Endrit Dokle . Adriatik Coli, i cili mban statusin e të penduarit të drejtësisë i shpëtoi vendimit për "burg përjetë", për shkak të kontributit që ka dhënë për zbardhjen e krimeve të kryera nga ish miqtë e tij, duke marrë masën e dënimit 10 vjet. Ndërkaq për 5 anëtarë të tjerë Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Selman Heti dhe Elvis Hoxhosmani gjykata ka vendosur 25 vjet burg. Për anëtarët e tjerë të Bandës gjykata ka dhënë masën me 20 vite burg, ndërsa Spartak Kalthi është dënuar me 10 vjet burg për shkak se ka qenë i mitur në kohën që janë kryer krimet.Të pandehurit e "Bandës së Durrësit" akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre nëntë vrasje, 11 plagosje e akuza të tjera të rënda, të kryera në qytetin e Durrësit gjatë periudhës 1998-2005.