E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, miratohen 4 kandidaturat e propozuara

04/03/2009  Komisioni Jashtëm

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës kandidaturat e propozuara për ambasadorë në Rusi, Indi, Holandë dhe në Siri e Egjipt. Kandidatët për ambasadorë Sokol Gjoka, Nuri Domi, Gazmend Barbullushi dhe Fatos Kërçiku kanë dhënë sqarime dje para deputetëve në lidhje me detyrat ku janë propozuar, ndërsa kanë marrë vlerësimet si diplomatë karriere. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, në një prononcim për mediat tha se deputetët e pranishëm kanë dhënë mbështetje për kandidaturat e propozuara, ndërsa i kërkoi Presidentit të Republikës një dekretim sa më të shpejtë të tyre. Duke komentuar mungesën e deputetëve të opozitës në këtë mbledhje, Zogaj u shpreh se socialistët janë të mendimit se nuk duhen emëruar ambasadorë para zgjedhjeve. “Zgjedhjet janë në horizont, nuk janë kaq afër dhe mendoj se duhet ta shkëpusim konceptin e zgjedhjeve nga koncepti i emërimit të ambasadorëve. Diplomacinë duhet ta shohim përtej ngjarjeve politike, siç janë zgjedhjet”, theksoi Zogaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›