E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pranon korrupsionin në sistemin e drejtësisë, kërkon reformim

Presidenti i Republikës Bamir Topi vlerëson se sistemi i drejtësisë në vend ka  probleme të shumta. Gjatë një interviste televizive, Topi ka deklaruar se këto probleme nuk lindën në një ditë, por janë probleme sa të trashëguara, aq edhe probleme që lindin rishtas, sipas problematikës që ka vetë gjyqësori. Kjo ka qenë arsyeja që, çështja e reformës në drejtësi konsiderohet një çështje mjaft komplekse do të thosha me shumë aktorë, sikurse e kërkon reforma, dhe kjo padyshim ka të bëjë me vullnetin e partive politike, sepse gjithçka realizohet në Parlament, përsa i përket reformimit të ligjeve, ka arsyetuar kreu i shtetit, Topi. Sipas tij, gjithmonë debati ka qenë nëse kjo reformë do të realizohet në bashkëpunim me aktorët e drejtësisë, apo do të realizohet në mënyrë shumë më ekskluzive, në strukturat parlamentare. Topi ka shprehur më tej mendimin se se ka pasur tentativa të qarta për të reformuar sistemin e drejtësisë. Sipas tij, sistemi i drejtësisë është një sistem, që do të vazhdojë të reformohet deri në realizimin e pavarësisë së institucioneve të tij. Nga ana tjetër, reformën për drejtësinë, Topi e ka konsideruar si një vetëpastrim, një vetërigjenerim të sistemit të drejtësisë nga njerëzit, të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë, dhe jo si një mundësi për tiu afruar papërgjegjshmërisë. Prandaj e kam thënë dhe po e them sot që, reforma në drejtësi kërkon shumë mund dhe shumë angazhim, kërkon shumë aktorë dhe patjetër që kërkon që të implementojmë një model që e kanë vendet, të cilat kanë një traditë të hershme në fushën e drejtësisë, ka vijuar presidenti Topi, duke shprehur bindjen se duhet marrë në konsideratë jo vetëm një veprim i koordinuar, por nga ana tjetër edhe misionet, qoftë EURALIUS-i, qoftë OPDAT-i, që kanë pasur një ndikim jo të pakët në rritjen e autoritetit të sistemit të drejtësisë. Por, nga ana tjetër, ai ka shtuar se është rritur edhe filtri i perceptimit dhe i kontrollit të gjyqtarëve nëpërmjet ushtrimit të aktivitetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nga ana tjetër ne kemi rigjeneruar gati 90% të drejtuesve të gjykatave në të gjithë Shqipërinë. Mendoj që brenda një periudhe të shkurtër, kjo temë përbën një dominant të politikës, por më shumë sesa të politikës, të vetë institucioneve që kanë të bëjnë me drejtësinë, ka përfunduar presidenti Topi, sipas të cilit kjo është shumë e rëndësishme për të rritur perceptimin publik, për të thithur atë çfarë mendon publiku dhe për ta afruar strukturën e drejtësisë sa më pranë publikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›