Artistët nga Tirana dhe Prishtina së bashku në skenën e TKOB
Koncerti recital i valltarit Gëzim Alimehmeti Dy tupanë për një sofër, rrëmbeu duartrokitjet e publikut në sallën e TKOB. Një repertor i zgjedhur dhe me krijimtari nga të gjitha trevat shqiptare u prezantuan në koncertin e cili zgjati më shumë se një orë. Në këtë recital interpretoi grupi i valleve dhe orkestra e Ansamblit Popullor. Por duartrokitje morën dhe të ftuarit nga Kosova.
Grupi Corona me drejtues grupi Ylber Asllanin, këngëtaret Miranda Hashani dhe Violeta Kukaj. Në një prononcim dhënë për gazetën këngëtarja Violeta Kukaj u shpreh se: Më vjen mirë që jam e ftuar në këtë koncert. Unë jam dhe pjesëtare e Ansamblit Shota, dhe më vjen mirë për koncertin që i kushtohet krijimtarisë popullore. Solistët që interpretuan ishin dhe Helga Saraçi, Olta Ahmetaj, Genc Kastrati, Leonard Mitrushi, si dhe valltarët Domenika Ndreca, Lorena Isaku, Vjera Çurçia, Marjana Shkreta, Ledi Bajraktari, Besmir Aga, ndërsa orkestrantë ishin Vladimir Hasimi, Skënder Gurra, Alban Tahiri, Artan Shabani, Lorenc Çunaj, Bledar Luzi, Ana Shkjezi, Fatmir Fani, Adriatik Çelmeta, Fatmir Serudi, Arbin Alimeri, Neki Kastrati, Leonard Cara, Ramadan Bellova, Gjergj Matoshi. Nën koreografinë e Rexhep Çelikut, Andrea Kokeri, Genc Kastrati dhe orkestracionet e Vladimir Hasimi dhe Lejla Agolli, ky koncert në skenën TKOB përcolli disa prej vlerave të folklorit shqiptar. Vallja e Tiranës ajo e Çamërisë, apo dhe të tjera nga zona të ndryshme të vendit u interpretuan në këtë koncert. Për të përshëndetur të ftuarit nga Kosova, u interpretua një valle, e cila i kushtohej familjes Jashari. Pas këtij koncerti Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po përgatitet për një koncert që do të zhvillohet në Belgjikë.