E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përnaska: Përfundon në fund të muajit gara për kreun e PD Tiranë

Gara për kreun e PD-së së Tiranës ka filluar të shfaq ethet e saj. Njëra prej kandidateve, deputetja Lajla Përnaska ka deklaruar se tifozllëku në një garë të tillë është mëse i kuptueshëm, por kjo nuk ndikon tek fituesi. Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se gara e saj për këtë post vazhdon dhe sipas saj me procedurat e ndjekura deri tani, gara për kreun e PD-së, së Tiranës do të mbyllet në fund të muajit prill. Gara ka rregullat e saj të qarta në të cilën zhvillohet si proces në të gjitha hallkat përkatëse, por në fund të fundit të mos harrojmë se gara është dhe tifozllëk, dhe gjithsesi bëhet një lloj tifozllëku për secilin nga kandidatët që janë përfshirë në garë. Kushdo ka të drejtën, që të shpreh dhe këtë lloj tifozllëku, ose preference po themi, për një kandidat ose një tjetër, ka theksuar ajo duke shtuar se procesi vazhdon dhe po respektohen të gjitha hallkat e realizimit të këtij procesi. Sipas saj, përderisa nuk është finalizuar procesi, gara natyrshëm vazhdon, aq më tepër tashmë që edhe brenda rrethit të Tiranës po shkon drejt finalizimit. Pak ditë më parë, kandidati tjetër për kreun e PD-së, së Tiranës e cilësoi thyerje të rregullit të garës shprehjen e simpatisë nga kryeministri Berisha për kandidaturën e Aldo Bumçit, deputetja Përnaska thotë se gara po zhvillohet normalisht. Përnaska është kandidatura e katërt zyrtare, që pretendon të marrë drejtimin e degës më të madhe të PD-së. Ajo renditet në listë mes emrave të tre kandidatëve të tjerë të njohur të kësaj force, me një bagazh të njohur, si politik ashtu edhe menaxherial. I pari që shpalli ambicien e tij për këtë post, ishte ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Pas tij u vetëshpall si kandidat edhe kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, i cili njihet për aftësitë e tij menaxhuese, por pa një përvojë të duhur politike. Ndërkohë që edhe deputeti tjetër demokrat, Edi Paloka, deklaroi se kishte pranuar propozimin e bazës për të konkurruar për kreun e PD-së së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›